Lidhje

Presidenti Bush i shprehu urimet e tij popullit irakian - 2005-01-31


Presidenti Bush i shprehu urimet e tij popullit irakian për zgjedhjet e djeshme të cilat tha ai ishin një sukses i madh.

Shtëpia e Bardhë tha sot se zoti Bush ja përcolli këtë mesazh përmes telefonit kryeministrit të përkohshëm të Irakut, Iyad Allawi dhe presidentit Gazi al Javar.

Të dy udhëheqësit irakian i thanë zotit Bush se do ti bëjnë thirrje të gjithë irakianëve për tu siguruar që procesi politik është gjithpërfshirës.

Më parë zoti Allawi mbajti një fjalim në televizionin irakian ku u bëri thirrje irakianëve të lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë së bashku drejt paqes dhe një të ardhmeje më të mirë. Ai tha se zgjedhjet ishin një tronditje për kryengritësit dhe premtoi se të gjithë irakianët do të përfaqësohen në qeverinë e re.

Zyrtarët e zgjedhjeve thanë sot se raundi i parë i numërimit të votave ka përfunduar në zonat zgjedhore lokale dhe po fillon faza e dytë. Fletat e votimeve do të dërgohen në Bagdat ku do të nxirren rezultatet përfundimtare javën e ardhshme. Komisioni i zgjedhjeve vlerëson se në votime kanë marrë pjesë më shumë se 60 përqind të personave me të drejtë vote.

Gjithashtu, organizata që përgjigjet për votuesit irakianë jashtë vendit, tha se rreth 93 përqind e irakianëve të regjistruar hodhën votën e tyre gjatë tri ditëve në 14 vende të botës.

XS
SM
MD
LG