Lidhje

Wesley Clark: "Jepini lirinë Kosovës"! - 2005-02-02


Në një artikull të botuar dje në gazetën "The Wall Street Journal", të titulluar ”Jepini lirinë Kosovës”, ish Komandanti i Trupave të NATO-s në Kosovë gjatë fushatës ushtarake të vitit 1999, gjenerali në pension Wesley Clark, duke ju referuar fjalimit të inaugurimit të Presidentit Bush, shkruan midis të tjerash se në se vëmendja e Shetetve të Bashkuara do të përqëndrohej vetëm tek Iraku, kjo do të shtonte rreziqet në vende të tjera të botës, siç është edhe Ballkani.

Çdo ditë që kalon, shkruan gjenerali Clark, në Kosovë shtohen tensionet, duke i kërcënuar kështu liritë të fituara me aq vështirësi, me një konflikt të ri. Në vitin 2005, thotë zoti Clark Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të marrin në shqyrtim zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, përpara se të jetë tepër vonë për të parballuar një tragjedi. Pas rreth një dekade shtypjeje nga ana e Beogradit, që u kurorëzua me luftën, dëbimet masive dhe krimet, shumica shqiptare e banorëve të Kosovës, shkruan gjenerali Clark, nuk pranon lidhje të reja me Serbinë dhe atë nuk do ta qetësonte asnjë zgjidhje tjetër, veç pavarësisë. Pas rreth 60 vjetësh me konflikte të vazhdueshme, serbët dhe shqiptarët nuk mund të jetojnë më bashkë. Qëllimi i Serbisë, i pranuar botërisht, është të mos lejojë pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye, në kushtet kur konflikti vazhdon të zjejë, shumica shqiptare e Kosovës e sheh pakicën serbe si kolonë të pestë, dhe asnjëra palë nuk është e gatshme për ndërtimin e urave të komunikimit.

Tensionet në Kosovë dhe Serbi, shkruan gjenerali Clark, janë të larta dhe atje mund të ndodhë një konflikt i ngjashëm me atë të pranverës së kaluar, që mund të çojë në ndarjen e menjëhershme të territorit të Kosovës, duke vënë kështu në rrezik investimet e deritanishme të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për stabilizimin e shteteve shumë-etnike të Ballklanit.

Pas trazirave të marsit, disa kanë vënë në pyetje në se shoqëria e brishtë e Kosovës meriton, apo mund të përballojë një shtet të vetin. Por, ndërsa shqetësimet qëndrojnë, shkruan gjenerali Clark, është e rëndësishme të mbahet parasysh se në Kosovë tashmë janë zhvilluar dy zgjedhje demokratike dhe se ky vend ka hedhur bazat e një ekonomie moderne, që po funksionon. Pra, janë hedhur bazat e nevojshme për një shtet. Ndërkohë, mbrojtja e pakicave nuk mund të realiziohet pa përparim në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës dhe kjo natyrisht, është çështja kryesore. Përfaqësues serbë të fushës së politikës, sigurisë dhe mediave duket se nuk i kanë ndryshuar qëndrimet e periudhës së Sllobodan Millosheviçit ndaj Kosovës, duke i kushtuar rëndësi çështjes së territorit më tepër se sa asaj që është e mirë për pakicën serbe në Kosovë. Këta elementë, thotë gjenerali Clerk, po përpiqen për të provokuar dhunën, me synimin për të arritur ndarjen e Kosovës.

Për t’i dalë përpara një skenari luftimesh mes shqiptarëve dhe ushtrisë serbe, Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë përpjekjet e fuqishme për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit kanë caktuar mesin e vitit 2005 për të vendosur në se duhet të fillojë procesi për të vendosur mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Ata duhet t’i fillojnë menjëherë përpjekjet e tyre. Struktura për të ardhmen e Kosovës duhet të jetë: jo më kthim në sundimin e Beogredit; jo ndarje e territorit të saj dhe jo bashkim në të ardhmen me Shqipërinë, apo me një territor tjetër fqinj. Por ritmi i përparmit drejt pavarësisë së Kosovës, thotë gjenerali Clark, duhet kushtëzuar nga trajtimi i pakicave, që është tepër i rëndësishëm. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shkruan gjenerali Clark, duhet të caktojë një të dërgurar të posaçëm që të fillojë konsultimet mbi projektin e një marrëveshjeje të titulluar ”Marrëveshja e Kosovës”, ku të përfshihet një kushtetutë e re e Kosovës, e cila t’i garantojë të drejtat e pakicave, në kushtet e vazhdimit të pranisë së vëzhguesve ndërkombëtarë, me ndihmën dhe praninë këtyre trupave në shtetin e ri të Kosovës.

Së fundi, shkruan gjenerali Clark, duhet të organizohet një konferencë ndërkombëtare në fund të vitit 2005, e cila do të finalizonte dhe nënshkruante Marrëveshjen e Kosovës. Në se Serbia do që të bashkëpunojë, ajo të ketë rol në formulimin e projektin e kushtetutës për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e serbëve, por në se ajo e bojkoton këtë proces dhe refuson zyrtarisht të marrë pjesë në të, në këtë rast fati i Kosovës nuk duhet mbajtur më peng. Po ashtu, shkruan gjenerali Clerk, në se statusi i Kosovës bllokohet në Këshillin e Sigurimit, Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin koalicionin e aleatëve evropianë për organzimin e konferencës ndërkombëtare për Kosovë, ta mbështesë një referendum të Kosovës, për miratimin e një kushtetute të re në fillim të vitit 2006 dhe më pas, ta njohë dhe ta mbështesë Kosovën, si një shtet të ri.

Ndryshe nga Iraku, shkruan gjenerali Clark, në Kosovë sot nuk ka konflikt, por masat e menjëhershme për zgjidhjen e statusit përfundimar të Kosovës tani janë të justifikuara, përndryshe do ta humbnim paqen dhe lirinë në Ballkan.

Lidhur me artikullin e zotit Clark, dje në konferencën e përjavshme të shtypit në Departamentin Shtetit, u bë pyetja se cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj statusit të Kosovës. Zëdhënësi Richard Boucher tha se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës mbetet ai që ka qenë, se Washingtoni mbështet integritetin e Maqedonisë dhe të çdo vendi tjetër ballkanik. Politika amerikane ndaj Kosovës, tha zëdhënësi Boucher, është që ajo vazhdojë me rrugën e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara janë kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan.

XS
SM
MD
LG