Lidhje

Rice, turne në Evropë dhe në Lindjen e Mesme - 2005-02-03


Shumica e analistëve evropianë që ndoqën fjalimin e presidentit Bush për gjendjen e vendit, thonë se ai përmbante disa të papritura dhe, në të njëjtën kohë, u bënte jehonë disa prej temave të politikës së jashtme që ai i preku gjatë fjalimit të inaugurimit muajin e kaluar. Evropianët thonë se do t’i kërkojnë Sekretares së Shtetit, Kondoliza Rajs, të sqarojë synimet amerikane për Iranin gjatë vizitës që ajo filloi në Evropë.

Fjalimi i Presidentit Bush për gjendjen e vendit përqëndrohej kryesisht në politikën e brendshme, për çështje të tilla si reformimi i sistemit të pensioneve. Por po ashtu ai foli me tone të forta për Iranin, një vend që presidenti Bush e cilësoi si mbështetësin kryesor të terrorit në botë.

Dallimet midis Amerikës dhe Evropës për rrugën që duhet ndjekur për ambiciet bërthamore të Iranit pritet të jetë një ndër temat kryesore të vizitës së zonjës Rajs në Evropë.

Evropianët e vlerësuan vizitën e saj të parë si Sekretare Shteti në Evropë si një gjest që synon të përmirësojë marëdhëniet me aleatët që u tensionuan për shkak të luftës në Irak. Diplomatët evropianë janë të mendimit se administrata e dytë e Presidentit Bush është e gatshme të jetë më e angazhuar me Evropën.

Duke e ditur se zonja Rajs ka lidhje më të ngushta me Presidentin Bush se sa paraardhësi i saj, Kolin Pauell, diplomatët shpresojnë se ajo do ta bëjë të qartë se cili do të jetë qëndrimi i Uashingtonit ndaj Iranit.

Tre vende kryesore evropiane, Britania, Franca dhe Gjermania, thonë se nuk do të mbështesin ndonjë goditje ushtarake për të ndaluar atë që Shtetet e Bashkuara e quajnë program i Iranit për prodhimin e armëve bërthamore. Evropianët janë për rrugë diplomatike në përpjekje për të bindur Iranin të heqë dorë përfundimisht nga programi i pasurimit të uraniumit përmes një seri nismash tregëtare dhe politike.

Në fjalimin e tij, Presidenti Bush foli për bashkëpunim me Evropën. Por në të kaluarën ai nuk ka pranuar të përjashtojë alternativën e goditjes ushtarake ndaj Iranit. Dhe nën-presidenti Dick Cheney ka thënë se Izraeli mund të godasë i pari për të shmangur kërcënimin bërthamor që i vjen nga Irani.

Tim Hames, një ekspert i politikave amerikane në Oksford thotë se ai mbeti i habitur nga paralajmërimi i Presidentit Bush për Iranin dhe Sirinë që këto vende të heqin dorë nga ndihma për terroristët dhe nga premtimi i tij për të qëndruar përkrah popullit iranian, në se ai kërkon më shumë liri nga sunduesit e tij. Por, thotë analisti, Presidenti nuk ishte aq i ashpër sa më parë në tonin e tij ndaj Iranit. “Në vend që t’u thoshte këtyre regjimeve “ose veproni kështu, ose përndryshe”, në fjalimin e tij presidenti tha vetëm “veproni kështu”, ndërsa paralajmërimi “përndryshe”, mbeti diku i pranishëm në ajpër. Ai u shpreh me ton të ashpër ndaj Iranit, por theksoi në të njejtën kohë se do të bashkëpunojë me Evropën për ta bindur Teheranin. Ai vërtetë i bëri thirrje të drejtëpërdrejtë popullit iranian, por ajo, për mendimin tim ishte më tepër një lojë politike se sa politikë reale.”

Pas zgjedhjeve relativisht të suksesshme në Irak, anketat në Evropë tregojnë se shumica e evropianëve, besojnë se ka ardhur koha që Uashingotni të fillojë të planifikojë tërheqjen nga Iraku. Por Presidenti Bush e bpëri të qartë se ai nuk do ta t’i tërheqë trupat derisa irakianët të jenë në gjendje të luftojnë vetë kundër kryengritësve.

Matthias Matusek, redaktor me revistën gjermane Der Spiegel, thotë se fakti që zgjedhjet përfunduan, nuk do të thotë se gjendja është përmirësuar në Irak. “Ekziston rreziku që Presidenti t’i ketë paraqitur zgjedhjet diçka më mirë se ç’ishin. Pa dyshim ato ishin një fitore. Është fitore vetë fakti i mbajtjes së tyre. Por askush nuk e di se si do të ndikojnë ato për të ardhmen.”

Megjithë theksin që presidenti Bush i vuri në fjalim reformimit të sistemit të pensioneve, analisti Tim Hames thotë se suksesi i Presidentit për të siguruar mbështetje për politikat e brendshme do të varet në shkallë të madhe nga zhvillimet në Irak. “Në fakt, Iraku është guri i themelit i Presidentit Bushit si për politikat e brendshme edhe për të jashtmet. Duket si pa llogjikë që ta lidhësh Irakun me sistemet e pensioneve në Amerikë, por në fakt një lidhje e tillë ekziston, pasi në se Iraku shihet si sukses, mbështetja për presidentin në Amerikë do të shtohet. Ndikimi i tij brenda partisë së tij, por edhe mbi demorkatët e pavendosur do të bëhej shumë më i fortë. Në se Iraku dështon, aftësia e Presidentit për të bindur njerëzit ta mbështesnin do të binte dukshëm.”

Ndërsa Sekretarja e Shtetit Rajs, pret nga aleatët tradicionalë mbështetjeje për të ndihmuar Irakun të krijojë forcat e duhura për t’u mbrojtur vetë, disa diplomatë evropianë thonë se si shkëmbim Evropa duhet të kërkojë që administrata e Presidentit Bush t’i bëjë më shumë presion Izraelit për të ndaluar ndërtimet në Bregun Perëndnimor.

Por diplomatët e pranojnë se një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë në këtë fazë. Dhe ndonëse të dyja anaët e Atlantikut janë të vendosura për t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet mbi luftën në Irak, diplomatët evropianë thonë se do të duhet kohë që të rivendoset besimi ndër Atlantik. //az//

XS
SM
MD
LG