Lidhje

Zimbave: zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta në pikëpyetje - 2005-02-03


Më 31 mars, në Zimbabve është në plan të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Por mundësia e zhvillimit të një votimi të drejtë në atë vend është në pikëpyetje. Zgjedhjet e mëparshme parlamentare, të mbajtura në vitin 2000, dhe zgjedhjet presidenciale më 2002 u shoqëruan nga dhuna, parregullsi të theksuara dhe kërcënime nga ana e qeverisë. Tashmë janë vënë re shenja se këto dukuri mund të përsëriten edhe në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Muajin e kaluar, më shumë se 60 anëtarë të Lëvizjes opozitare për Ndryshime Demokratike u ndaluan nga policia në qytetin Bulavajo. Mes të ndaluarve ishte anëtari i parlamentit të Zimbabvesë, Thozani Khupe. Ata u akuzuan për mbajtjen pa leje të një tubimi publik.

Arrestimi i anëtarëve të partive të opozitës nuk është i vetmi problem. Ligjet e reja të zgjedhjeve mund të pakësojë ndjeshëm praninë e vëzhguesve të pavarur në qendrat e votimit. Për më tepër, qeveria e Presidentit Robert Mugabe ka thënë se ka në plan të kufizojë edhe praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë. Veprimtari i të drejtave të njeriut dhe kryetari i rrjetit për mbështetjen e zgjedhjeve në Zimbabve, Reg Matçava-Hovë, shpjegon: “Edhe çështja e administrimit të zgjedhjeve nëpërmjet një komisioni të pavarur elektoral bëhet diçka thuajse krejtësisht e parealizueshme nëse zgjedhjet zhvillohen në mars.”

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Riçard Bauçer, thotë se Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për një proces elektoral transparent në Zimbave: “Ne kemi theksuar rëndësinë e kësaj dhe kemi inkurajuar vetë qeverinë që të zhvillojë zgjedhje të hapura, të lira dhe të drejta.”

Nuk është vonë për qeverinë e Presidentit Mugabe që të lejojë rihapjen e gazetave të pavarura dhe organizimin e tubimeve nga partitë politike pa ndërhyrjen e qeverisë, të ftojë përfaqësues ndërkombëtarë për të vëzhguar zgjedhjet dhe të përmbushë premtimet se nuk do të lejohet dhuna nga asnjë parti politike.

Keqadministrimi dhe inflacioni e kanë rrënuar ekonominë e Zimbabvesë dhe kanë detyruar miliona qytetarë të ikin nga vendi. Populli i Zimbavesë meriton të ketë të drejtën e mbajtjes së një debati të sinqertë dhe të hapur politik mbi të ardhmen e tij.

XS
SM
MD
LG