Lidhje

Takim i shqiptaro-amerikanëve me ligjvënësit në Kongres - 2005-02-03


Mbrëmë (2 shkurt) në prag të fjalimit të presidentit Bush mbi gjendjen e vendit, në një nga sallat e Kongresit, Lidhja qytetare shqiptaro amerikane organizoi një takim me disa ligjvënes per t'u rikujtuar atyre se Kosova vazhdon të jete ende pa nje status të përhershëm. Ligjvënësi i njohur Tom Lantosh tha se pas sukseseve të arritura me zgjedhjet në Afganistan e Irak, administrata e presidentit Bush tani duhet t'i kushtoje më shume vemendje Kosovës ku rreth 2 milionë banorë jetojnë pa patur një status apo një shtet të vetin.

Ligjvënësi Tom Lantosh, bashkëautor edhe i nje projekt rezolute për pavarësinë e Kosovës e cila qarkullon prej kohesh ne Kongres, u tha të pranishmëve se Amerika e cila u është gjendur pranë shqiptareve në kohet më të vështira gjate periudhës shtypëse të Millosheviçit, do të vazhdojë të jete përkrah tyre deri sa banorët atje me dinjitet ta quajnë veten shtetas të një Kosove të pavarur.

“Ne do t'ia arrijmë këtij qellimi dhe për këtë ju mund të mbështeni tek ne. Ne do ta festojme atë ditë në ambasadën e Kosoves këtu në Washington. Duket si ëndër, por kjo do të bëhet realitet”, tha ligjvënësi Lantosh.

Të njëjtin optimizëm shpreu edhe zyrtari i Kongresit, Bob King, drejtor i personelit të demokratëve në komisionin e Kongresit për marrëdhënie me jashtë.

Në takimin e mbrëmshëm merrnin pjesë anëtarët e keshillit drejtues të lidhjes qytetare shqiptaro amerikane, të ardhur nga shume shtete. Kryetari i kësaj shoqate lobiste është ish ligjvënësi Joe Dioguardi dhe motoja e saj ka vite që është Pavarësia e Kosoves, tani.

“Derisa Kosova të fitojë pavarësinë, për çdo vit në do të mblidhemi në këtë sallë, pak para se presidenti të fillojë fjalimin, me miqtë tanë ligjvënësit Lantosh, Hyde, Rohrabacker e të tjerë sepse ne duhet t'ua rikujtojmë atyre vazhdimisht qëllimin tonë. Vetem këmbëngulja sjell rezultat dhe ligjvënësi Lantosh e ka të qartë qëllimin tonë, prandaj edhe kemi fituar përkrahjen e tij ashtu si shumë të tjerëve në Kongres, se pavarësia e Kosovës është domosdoshmeri dhe kjo u shpreh edhe në projekt-rezolutën e paraqitur më 4 janar”, thotë zoti Dioguardi.

Zonja Sherli Kllojs thotë se çdo njeri që beson në premtimet dhe vizionin e presidentit Bush për përhapjen e demokracisë dhe lirisë kudo në botë, duhet ta perkrahe ketë rezolutë dhe një zëri të thotë Pavarësia e Kosovës, tani.

Gjatë takimit u shpreh shqetësim edhe për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Lidhja qytetare shqiptaro amerikane i kerkoi ligjvënësit Dena Rohrabaker që të ndërhyjë pranë Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit për sqarimin e fatit të 5 rinjve nga Gjakova, të cilët më 1999 u morrën nga forcat serbe gjate tërheqjes së trupave nga Kosova.

“Ne kemi emrat dhe fotografitë e tyre dhe hollësi të tjera dhe do të kerkojmë nga Departamenti i Shtetit, personalisht nga sekretarja Kondoliza Rajs, që të ndërhyjë e te kërkojë nga Beogradi sqarimin e fatit të tyre dhe shumë të tjerëve”, tha ligjvënësi Dena Rohrabaker.

XS
SM
MD
LG