Lidhje

Presidenti Bush mban fjalimin mbi gjendjen e vendit - 2005-02-03


Presidenti Bush mbajti dje fjalimin mbi gjendjen e vendit, ku u zotua se do të mbështesë demokracinë në Lindjen e Mesme dhe do të nxisë reforma në programin federal të pensioneve. Në fjalimin para të dyja Dhomave të Kongresit mbrëmë, presidenti vlerësoi zgjedhjet e fundit në Irak duke thënë se ato tregojnë se terroristët nuk mund të mposhtin vullnetin e atyre që kërkojnë liri. Ai tha se fitorja e lirisë në Irak do të forcojë një aleat të ri në luftën kundër terrorizmit dhe do të frymëzojë reforma demokratike nga Damasku në Teheran. Demokratët në opozitë thonë se presidenti nuk po bën sa duhet për të mbrojtur amerikanët në vend.

Presidenti Bush tha se gjendja e re politike në Irak nënkupton që trupat amerikane do të përqëndrohen tani gjithnjë e më shumë në përgatitjen e forcave irakiane të sigurimit për të marrë mbi vete përgjegjësi më të mëdha. Ai thotë se irakianët duhet të jenë në gjendje të mbrojnë atdheun e tyre.

“Ne jemi në Irak për të arritur një rezultat: Një vend që është demokratik, përfaqësues i të gjithë shtetasve, në paqe me fqinjët dhe i aftë të vetë-mbrohet. Kur të arrihet ky rezultat, ushtarët tanë që ndodhen në Irak do të kthehen në atdhe me nderin që kanë fituar,” tha presidenti.

Një pjesë e mirë e fjalimit të presidentit u përqëndrua në vazhdimin e përpjekjeve për përhapjen e lirisë pasi, siç tha presidenti, nëse rajone të tëra të botës janë mbërthyer nga dëshpërimi dhe urrejtja, ato do të shndërrohen në terrene për rekrutimin e terroristëve:

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtën, dëshirën apo synimin për të imponuar ndonjë formë qeverisjeje mbi të tjerët. Ky është dallimi kryesor ndërmjet nesh dhe armiqve tanë. Ata përpiqen të imponojnë dhe zgjerojnë perandorinë e tyre të shtypjes, në të cilën një grup i vogël sundimtarësh të pamëshirshëm dhe të vetë-shpallur kontrollojnë çdo aspekt të jetës. Synimi ynë është të ndërtojmë dhe të ruajmë një komunitet kombesh të lira dhe të pavarura, ku qeveritë të jenë përgjegjëse para shtetasve të tyre si dhe të pasqyrojnë kulturat e tyre,” tha presidenti.

Zoti Bush tha se reforma pozitive po hedhin rrënjë që nga Maroku në Jordani e deri në Bahren. Ai u bëri thirje aleatëve të Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe Egjiptit të zgjerojnë mundësitë demokratike dhe veçoi Sirinë dhe Iranin si vende të cilat, siç u shpreh presidenti, vazhdojnë të strehojnë terroristë dhe të përpiqen për zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Presidenti Bush tha se Amerika ka ndërmarrë masa të papara për t’u vetmbrojtur që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, por ai shtoi se ende mbetet shumë punë për të bërë:

“Ende ka qeveri që mbështesin dhe strehojnë terroristë, por numri i tyre është pakësuar. Ende ka regjime që përpiqen të zhvillojnë armë të shkatërrimit në masë, por tani mbi ta është përqëndruar vëmendja ndërkombëtare dhe ka kërcënim për veprime. Vendi ynë është ende në shenjestër të terroristëve të cilët synojnë të vrasin në masë dhe të na frikësojnë. Ne do të qëndrojmë në ofensivë kundër tyre derisa të fitohet lufta,” tha presidenti.

Në përgjigjen e demokratëve ndaj fjalimit të presidentit, udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se administrata e presidentit Bush nuk është përgatitur si duhet për një tjetër sulm të mundshëm terrorist.

Ligjvënësja demokrate nga Kalifornia tha se të gjitha ngarkesat në avionë ende nuk kontrollohen, hekurudhat dhe centralet energjitike nuk janë të sigurta dhe policia e zjarrfikësit nuk kanë fonde dhe kualifikim të mjaftueshëm.

Ligjvënësja Pelosi tha se presidenti duhet të punojë me vendet e tjera për t’u siguruar se materialet e rrezikshme nuk bien në duart e terroristëve:

“Kërcënimi më i madh ndaj sigurimit të atdheut janë tonelatat e materialeve biologjike, kimike, e madje bërthamore të cilat nuk figurojnë në inventare ose nuk janë të mbrojtura. Presidenti u shpreh me fjalët e duhura për rrezikun, por nuk ka marrë masa që t’i përgjigjen këtij rreziku,” tha zonja Pelosi.

Objektivi kryesor i presidentit në politikat e brendshme është reformimi i programit federal të pensioneve për t’i dhënë mundësi brezit më të ri të investojnë në llogari private në mënyrë që të marrin një përqindje më të lartë interesi.

Demokratët thonë se plani nënkupton që punonjësit më të rinj mund të humbasin një pjesë të mirë të investimeve të tyre në tregun e pasigurtë të aksioneve.

Presidenti filloi të enjten një turne në shtetet Dakota e Veriut, Montana, Nebraska, Arkansa dhe Florida për të siguruar mbështetje për planin e tij për reformimin e programit të pensioneve.

XS
SM
MD
LG