Lidhje

Presidenti i ICG-së Gareth Evans thotë se alternativa e vetme për Kosovën është pavarsia - 2005-02-05


Trupa të NATO-s nga më shumë se dhjetë vende vazhdojnë të jenë një prani e rëndësishme paqeruajtëse në Kosovë. Shpërthimi i dhunës në mars të vitit të kaluar la disa vetë të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur kur shumica shqiptare sulmoi shtëpi dhe kisha të pakicës së vogël serbe.

I alarmuar nga mungesa e deklaratave të qarta politike nga fuqitë e mëdha, një grup kërkimor me seli në Bruksel lëshoi një raport muajin e kaluar, në të cilin bën thirrje për pavarësinë e Kosovës. Ish ministri i jashtëm australian, Gareth Evans, i cili shërben si president i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, thotë se nuk sheh asnjë alternativë tjetër veç pavarësisë:

"E vërteta, tha zoti Evans, është se treni është larguar nga stacioni. Kthimi i Kosovës nën regjimin e Beogradit nuk do të ndodhë. Komuniteti ndërkombëtar nuk to ta lejojë një gjë të tillë. Rrethanat në terren nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. Status kuoja nuk mund të ruhet. Gjendja ekonomike, tha zoti Evans, është në gjendje shumë të rëndë dhe ajo nuk mund të futet në rrugën e rimëkëmbjes derisa të zgjidhim të gjitha çështjet e statusit dhe ato ligjore.”

Por, ndërsa shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësinë, Serbia e kundërshton atë. Ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviç, shpjegon: “Në bazë të kartës së Kombeve të Bashkuara, tha zoti Drashkoviç, është e pamundur nga pikëpamja ligjore të shpallet një shtet i pavarur në territorin e një shteti tjetër të pavarur kundër vullnetit të këtij shteti. Kjo është e qartë. Mirëpo, statusi i Kosovës, theksoi zoti Darshkoviç, nuk mund të jetë i njëjtë me atë që ajo kishte para 10 qershorit të vitit 1999.”

Pavarësia e Kosovës duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, të paktën dy nga anëtarët e të cilit, Rusia dhe Kina, e kundërshtojnë pavarësinë..

Kombet e Bashkuara ngulin këmbë që para se të fillojnë diskutimet rreth statusit përfundimtar, autoriteti i zgjedhur i Kosovës duhet të demonstrojë se vepron në përputhje me standardet evropiane të qeverisjes. Zoti Drashkoviç thotë se këto standarde ende nuk janë përmbushur:“Kjo do të thotë që të gjithë serbët e dëbuar nga Kosova pas 10 qershorit 1999 duhet të jenë në pozitë të kthehen, do të thotë riparimi i më shumë se 40 mijë shtëpive serbe dhe i kishave e manastirve 150 shekuj të vjetër, do të thotë që në Kosovë duhet të garantohet një mbrojtje e nivelit evropian për serbët dhe pakicat e tjera dhe një model evropian i decentralizimit të pushtetit.”

Zoti Evans i Grupit Ndërkombëtar të Krizave mendon se standardet mund të përmbushën dhe përfundimisht mund të arrihet një koncensus midis të gjitha palëve: "Ne duhet të dalim nga kjo amulli dhe rruga për të ecur përpara është të njihet realiteti i trenit të pavarësisë. Por, ne duhet të krijojmë edhe kushtet për një gjë të tillë, të cilat do të garantojnë mbrojtje të vërtetë për njerëzit që u nevojitet brenda Kosovës dhe të bindim komunitetin ndërkombëtar se ne nuk po krijojmë një kazan të ri trazirash. Kjo gjë, tha zoti Evans, mund të arrihet përmes një pranie të vazhdueshme vëzhguese ndërkombëtare për një kohë të pacaktuar. Kjo mund të arrihet përmes një pranie ndërkombëtare në gjyqësorin e Kosovës, kjo mund të realizohet përmes disa kufizimeve ndaj një Kosova të pavarur për sa i përket bashkimit me Shqipërinë ose një territori fqinj."

Në këtë drejtim vihen re disa shenja përparimi. Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si edhe zoti Drashkoviç flasin hapur rreth nevojës për dialog midis Beogradit dhe Prishtinës. Por megjithatë, atje vazhdon mospajtimi i plotë rreth çështjes së pavarësisë.

XS
SM
MD
LG