Lidhje

Berluskoni:Kanë filluar negociatat për lirimin e gazetarës italiane - 2005-02-05


Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, thotë se kanë filluar negociatat për lirimin e gazetares italiane që u rrëmbye dje në Irak.

Persona të armatosur e rrëmbyen gazetaren Xhuliana Sgrena në një rrugë të Bagdadit, pasi bllokuan makinën e saj me një makinë tjetër. Zonja Sgrena është korrespondente e gazetës Il Manifesto.

Një grup i panjohur, i vetëquajtur Organizata Xhihadi Islamik, ka marrë përgjegjësinë për rrëmbimin. Në mesazhin e grupit, të hedhur në një faqeje interneti, Italia kërcënohet me veprime të tjera nëse ajo nuk tërhiqet nga Iraku brenda katër ditësh.

Ndërkohë, ushtria amerikane tha se shpërthimi i një bombe në anë të rrugës shkaktoi dje vdekjen e dy ushtarëve dhe plagosjen e pesë të tjerëve në qytetin verior Baixhi.

Në një zhvillim tjetër, komisioni irakian i zgjedhjeve tha se rezultatet e pjesëshme të zgjedhjeve të 30 janarit tregojnë se koalicioni kryesor shiit vazhdon të udhëheqë me rezultat të thellë.

XS
SM
MD
LG