Lidhje

Ministrat e mbrojtjes të Natos në Nisë për takimin dyditor - 2005-02-09


Ministrat e mbrojtjes të Natos ndodhen në Nice të Francës për diskutime që lidhen me një sërë çështjesh të cilat kanë të bëjnë me Irakun dhe Afganistanin, me Kosovën dhe me të ardhmen e aleancës.

Zyrtarët e Natos e pranojnë se ata duhet të flasin më hapur për Kosovën dhe për proceset nëpër të cilat po kalon ajo. Një zëdhënës në konferencë i tha Zërit të Amerikës se çështja e standardeve, pra në ç’masë janë realizuar ato, do të jetë ndër temat e diskutimit, por zyrtarët theksuan se sidoqoftë, Natoja do të ruajë nivelin e tanishëm të trupave në Kosovë, gjithsej 18,000. Ata e pranojnë se viti i kaluar ishte i vështirë për Naton në Kosovë, me trazirat e marsit, në të cilat trupat e K-FOR-it nuk qenë plotësisht në gjendje të përballojnë menjëherë situatën e krijuar.

Zyrtarët e Natos thonë se një gjendje e tillë si ajo e marsit 2004 në Kosovë mund të përsëritet dhe prandaj po e vëzhgojnë gjendjen me kujdes. Analistët kanë paralajmëruar vazhdimisht muajt e fundit se nëse nuk bëhen hapa përpara në zgjidhjen e statusit të Kosovës, atje mund të ketë përsëri shpërthime dhune. Situata mund të komplikohej më tepër nga faktorë të tjerë të tillë siç mund të ishte ngritja e një aktpadie të mundëshme nga Gjykata e Hagës kundër kryeministrit Ramush Haradinaj. Për të gjitha këto arësye, thonë zyrtarët e Natos, aleanca ka nevojë të ruajë nivelin e tanishëm të trupave. Më konkretisht, ministrat pritet të flasin se si mund ta bëjnë K-FOR-in më të efektshëm në përballimin e krizave, duke hequr pengesat e mundëshme në aspekt. Afganistani dhe Iraku janë gjithashtu ndër çështjet kryesore në takimin e ministrave të mbrojtjes në Nice.

Lidhur me Afganistanin, ministrat pritet të njoftojnë se Natoja do ta zgjerojë misionin e saj në Afganistan në perëndim të Kabulit, tani që zgjedhjet parlamentare të vendit po afrojnë.

Për sa i përket Irakut, Uashingtoni kërkon që misioni për stërvitjen e oficerëve irakianë të zgjerohet dhe sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld, u ka bërë tashmë thirrje disa vendeve të Natos që të heqin pengesat në këtë aspekt, sepse disa vende si Gjermania dhe Belgjika nuk i lejojnë oficerët e tyre të stërvisin forcat irakiane.

Zëdhënësja e Pentagonit foli dje mjaft hapur për këtë çështje dhe tani pritet të shihet se sa hapur do të flasë zoti Rumsfeld në konferencë, sepse siç mund të shihet edhe nga kalendari politik dhe diplomatik mjaft i ngarkuar i këtyre ditëve, Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të riparuar mosmarrëveshjet me disa nga vendet evropiane që e kundërshtuan ndërhyrjen në Irak. E tillë është vizita e zonjës Rice në Evropë - dje ajo mbajti një fjalim të rëndësishëm në Paris për përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët evropianë ndërsa sot u takua në Bruksel me homologët e saj të Natos, në përgatitje të vizitës që Presidenti Bush do të bëjë këtë muaj në Evropë.

Ndërkohë, masat e sigurisë në Nisë janë mjaft të rrepta. Janë mobilizuar disa mijra policë dhe ushtarë, të cilët kanë rrethuar qendrën Akropolis ku mbahet konferenca e ministrave të mbrojtjes. Të mërkurën, rreth 1500 vetë, që sipas shtypit u përkisnin grupeve majtiste, organizuan një marshim drejt qendrës së qytetit por pa shkaktuar incidente. Në det, në gjirin përballë qytetit, mund të shihen anije luftarake franceze, me helikopterë në bord, që patrullojnë.

Megjithatë, banorët e Nisës duken të pashqetësuar nga këto masa që kanë bllokuar një pjesë të qytetit.

XS
SM
MD
LG