Lidhje

Shqipëri: Bllokohen për 3 vjet mjetet lundruese në ujrat territoriale


Në Shqipëri për një periudhë 3 vjeçare do të bllokohet përdorimi i të gjithë mjeteve lundruese në ujërat territoriale shqiptare. Vendimi i hartuar nga ministria e Brendshme është miratuar sot nga qeveria sipas së cilës skafet përbëjnë mjete të një potenciali të lartë për krimin e organizuar dhe me këtë akt merr fund njëri nga faktorët që ka krijuar drama të mëdha dhe serioze dhe që ka nxirë imazhin e Shqipërisë më shumë ndoshta se çdo gjë tjetër.

Ashtu siç ishte premtuar disa javë më parë, Ministria e Brendshme hartoi projektiligjin për bllokimin e lëvizjeve të mjeteve lundruese, i cili sot u miratua dhe nga qeveria. Ministri Sokol Olldashi tha sot se shumë shpejt projekti do të shkojë në parlament Clipp kemi të bëjmë me një moratorium tre vjecar, që do të thotë ngrirje të qarkullimit të cdo mjeti të shpejtë lundrimi shqiptar, me përjashtim të mjeteve të autoriteteve protuale, mjeteve që përdoren për transportin detar të mallrave, mjeteve të licensuara për aktivitete peshkimi

Sipas qeverisë shqiptare skafet përbëjnë mjete të një potenciali të lartë për krimin e organizuar dhe me këtë akt merr fund njëri nga faktorët që i ka krijuar kombit drama të mëdha dhe serioze, që i ka nxirë imazhin më shumë ndoshta se çdo gjë tjetër.

Kryeministri Berisha u shpreh nga ana e tij se nuk mund dhe nuk do të lejohet që nga Shqipëria të eksportohet kriminalitet, drogë drejt vendeve perëndimore me të cilat vendi kërkon të integrohet me shpejtësi. Projektligji nuk ndalon megjithatë mjetet e huaja, duke mos penguar në këtë mënyrë ardhjen në brigjet shqiptare të motoskafeve dhe yachteve për qëllime turizmi. Nga kjo e drejtë megjithatë privohen shtetasit shqiptarë të cilët kanë nisur tashmë të përdorin mjete lundruese për efekte turistike, por që për tre vjet dotë duhet t’i mbyllin ato.

Nga ana tjetër, siç ka theksuar dhe një pjesë e shtypit të këtushëm, ligji nuk pritet të ketë efekte domethënëse në luftën kundër trafiqeve ilegale, përsa kohë, prej disa vitesh, mjetet lundruese me motora të fuqishëm dhe potencialisht të përdorshëm për trafiqeve janë të ndaluara me një ligj tjetër i cili i jepte të drejtë lundrimi vetëm varkave apo skafeve me fuqi motorike të kufizuar.

Që prej vitit 2002 trafiku i klandestinëve apo drogës dhe armëve nëpërmjet skafeve është reduktuar ndjeshëm, dhe rastet e këtyre trafiqeve janë kryer gjithnjë me mjete lundruese të fuqishme dhe të jashtëligjshme, të cilat mund të përdoren edhe në vazhdim nëse kontrolli i vijës bregdetare nuk do të jetë në gjendje ti parandalojë.

XS
SM
MD
LG