Lidhje

Rizgjidhet Shinzon Abe, vëmendja tek Pheniani


Kryeministri japonez Shinzo Abe tha sot se shpreson të ushtrojë “një diplomaci të fortë dhe vendimtare” për të zgjidhur çështjen e programeve bërthamore dhe të prodhimit të raketave të Koresë së Veriut.

Kryeministri Abe foli me gazetarët një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, nga të cilat koalicioni i tij fitoi shumicën absolute prej dy të tretave të vendeve në dhomën e ulët të parlamentit.

“Shpresojmë ta zgjidhim çështjen bërthamore dhe të raketave të Koresë së Veriut, si dhe çështjen e japonezëve të rrëmbyer, nëpërmjet një diplomacie të fortë dhe të vendosur. Do ta thellojmë koordinimin me komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë që Korea e Veriut të ndryshojë drejtim. Ripërsëris angazhimin tim në mbrojtje të jetës në paqe të njerëzve, në të gjitha rrethanat”, tha zoti Abe.

Kryeministri japonez tha se çështja e Koresë së Veriut do të jetë pjesë e diskutimeve gjatë vizitës në Japoni muajin e ardhshëm të Presidentit amerikan Donald Trump.

Duke u munduar të krijojë më shumë mbështetje për qëndrimin e tij të ashpër ndaj kërcënimit bërthamore të Koresë së Veriut, zoti Abe vendosi shpërbërjen e dhomës së ulët të parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, ndërkohë që mandati legjislativ mbaronte në muajin dhjetor të vitit 2018.

Megjithatë, publiku japonez mbetet i dyzuar për propozimin e zotit Abe për t’i lejuar më shumë fushë veprimi ushtrisë për t’u përballur me vende si Kina dhe Koreja e Veriut, si dhe për të mbështetur vende aleate si Shtetet e Bashkuara.

Retorika kërcënuese e Presidentit Trump për të shkatërruar plotësisht Korenë e Veriut nëse ajo sulmon, ka ushqyer më tej shqetësimet e kundërshtarëve të zotit Abe, të cilët mendojnë se lehtësimi i kufizimeve ndaj ushtrisë do ta përfshinte Japoninë në konflikte të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG