Lidhje

Shtyhet vendimi për kredencialet e korrespondentit të Shtëpisë së Bardhë


Një gjykatës federal ka shtyrë për të premten vendimin nëse Shtëpia e Bardhë duhet, të lejojë të paktën përkohësisht korrespondentin e CNN-it, Jim Acosta, që të kthehet në ambjentet e Shtëpisë së Bardhë, për të bërë punën e tij.

Gjykatësi Timothy Kelly e shtyu seancën që ishte parashikuar për të enjten pasdite, për të premten në orën 10 paradite, sipas kohës lokale.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, depozitoi një dokument të enjten në mbështetje të mocionit të CNN-it për rikthimin e kredencialeve të gazetarit, parashtruar në rastin e CNN-it kundër Donald J. Trumpit, sipas presidentit të shoqatës, Olivier Knox. Ai tha në seancën e së mërkurës për kërë mocion, se Departamenti i Drejtësisë kishte argumentuar se presidenti kishte autoritetin e pakufizuar të zgjidhte për çfarëdolloj arsyeje ata gazetarë që do për ta mbuluar.

Dokumenti i Shoqatës së Korresponentëve të Shtëpisë së Bardhë vinte në dukje rrezikun që hasin të gjithë gazetarët dhe publiku amerikan nëse pretendimi i presidentit lejohet të mbetet në fuqi.

Avokati i CNN-it, Ted Boutrous i tha gjykatësit Kelly të mërkurën se kishte shumë mënyra të tjera që Shtëpia e Bardhë mund të kishte ndjekur për të reaguar ndaj Acostas, si për shembull të mos ta zgjidhte për të bërë pyetje.

“Duke e njohur Presidentin Trump, ka shumë mundësi që ditën e parë të rikthimit të kredencialeve të Jim Acostës, ai do ta zgjedhë për t’i bërë pyetje”, shtoi avokati.

Avokatët e qeverisë thonë se sjellja e zotit Acosta pengon Shtëpinë e Bardhë të zhvillojë një konferencë të rregullt për shtyp.

Disa organizata të mëdha lajmesh, përfshirë rivalin e CNN-it, Fox News - që përgjithësisht konsiderohet si mbështetëse e administratës Trump - kanë shprehur mbështetjen e tyre për përpjekjet ligjore të ndërmarra nga CNN-i.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG