Lidhje

Aktivistët përpiqen të mos lejojnë Britaninë t’i shesë armë A. Saudite

  • Henry Rdigewell

Aktivistët e të drejtave të njeriut po përpiqen të mos lejojnë qeverinë britanike t’i shesë armë Arabisë Saudite. Kritikët e akuzojnë koalicionin e udhëhequr nga sauditët, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, për shkelje të ligjit ndërkombëtar, duke bormbarduar zonat civile në luftën kundër kryengritësve Houthi në Jemen.

Në tetor 2016, Zuhair dhe familja e tij po merrnin pjesë në varrimin e një sheiku në kryeqytetin Sana të Jemenit.

Më shumë se njëmijë njerëz kishin mbushur sallën e një ndërtese, kur avionët hodhën drejt saj dy raketa. U vranë mëse 140 vetë dhe 500 u plagosën.

Flet Zuhair, viktimë e bombardimit:

"Ishte xhaxhai që më hoqi prej andej. Isha djegur në fytyrë, në duar dhe këmbë. Pastaj shkuam në shtëpi me taksi. Rrobat dhe gjithçka më ishte djegur.”

Familja e Zuhairit nuk ishte në gjendje të paguante, dhe për dy javë rrjesht atij nuk iu dha asnjë lloj mjekimi.

Grupi "Human Rights Watch" thotë se provat mjeko-ligjore nga vendi i shpërthimit tregojnë se raketat u lëshuan nga avionët sauditë, edhe pse qeveria e Riadit e ka mohuar përgjegjësinë.

Ndërhyrja ushtarake e Arabisë Saudite me mbështetjen amerikane dhe britanike, synon të godasë luftëtarët Houthi, të mbështetur nga Irani, cilët kontrollojnë kryeqytetin Sana. Por kritikët thonë se një në tre sulme ajrore ka goditur objekte civile, duke vrarë mijëra njerëz.

Fushata Kundër Tregtisë së Armëve me qendër në Londër thotë se që nga fillimi i konfliktit në Jemen në mars 2015, Britania i ka shitur Arabisë Saudite armë me vlerë prej 4.1 miliardë dollarësh. Këtë javë, grupi ngriti kallëzim penal kundër qeverisë britanike:

"Sipas një komisioni ekspertësh të OKB-së, duket sikur ka një shënjestrim sistematik dhe të përhapur të civilëve nga Forcat Ajrore saudite në Jemen. Në qoftë se legjislacioni britanik për kontrollin e armëve ka ndonjë kuptim, atëherë qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të ndalë menjëherë shitjen e armëve Arabisë Saudite".

Britania thotë se ka një sistem të fuqishëm për kontrollin e eksporteve dhe e mban nën vëzhgim të vazhdueshëm shitjen e armëve Arabisë Saudite. Por grupet e ndihmave thonë se konflikti në Jemen ka sjellë një prej katastrofave më të rënda humanitare në botë.

"Janë 10 milionë fëmijë në nevojë për ndihmë humanitare dhe një gjysmë milioni në gjendje të rëndë kequshqyerje. Pra, qartazi, ka pasur shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga të gjitha palët. Por Arabia Saudite është një aleat kyç i Britanisë. Britania i shet armë Arabisë Saudite dhe koalicioni i udhëhequr nga sauditët po vret fëmijë në Jemen."

Arabia Saudite mohon se vë qëllimisht në shënjestër civilët. Gjykata e Lartë britanike pritet ta marrë vendimin në javët e ardhshme.

XS
SM
MD
LG