Lidhje

22 civilë të vrarë në Afganistan


Zyrtarët në Afganistanin jugor thanë se të paktën 22 civilë gjetën vdekjen nga shpërthimet vetëvrasëse afër një baze ajrore të NATO-s.

Autoritetet thonë se dy autorë sulmesh vetëvrasëse goditën një fushë parkimi plot me shoferë kamionësh dhe njerëz të tjerë, që prisnin të hynin sot në bazë në provincën Kandahar. Një prej sulmuesve me motorçikletë aktivizoi shpërthimin e parë dhe ndërsa njerëzit nxituan për të ndihmuar viktimat, sulmuesi i dytë në këmbë aktivizoi lëndën plasëse afër dyqaneve.

Të paktën 50 njerëz u plagosën nga shpërthimet afër bazës së Kandaharit, një bazë shumë e madhe e administruar nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Talebanët morën përgjegjësinë për shpërthimet. NATO-ja i akuzoi talebanët se vazhdojnë të vrasin civilë, duke thënë se veprimet e këtij grupi përbëjnë "kërcënimin më serioz për sovranitetin e Afganistanit".

Ndërkohë në Afganistanin linor, zyrtarë afganë thanë se 18 civilë, mes tyre gra dhe fëmijë, u vranë nga një sulm ajror i NATO-s në provincën e Logarit.

NATO tha se një numër kryengritësish u vranë gjatë operacioneve të sotme, që kishin në shënjestër një udhëheqës taleban në distriktin Baraki Barak. Koalicioni tha se edhe dy gra u plagosën nga sulmi ajror, por nuk përmendi ndonjë vdekje mes civilëve.

Koalicioni vuri në dukje se sulmi ajror pasoi zjarrin e kryengritësve kundër një force të përbashkët afgane dhe të koalicionit, që po përpiqej të ndalonte një udhëheqës taleban.
XS
SM
MD
LG