Lidhje

Afganistani pezullon negociatat me SHBA


Diplomatët më të lartë amerikanë u përpoqën dje të shpëtonin planet për bisedime me talebanët, pasi Presidenti Hamid Karzai refuzoi të merrte pjesë në bisedimet e kryesuara nga Shtetet e Bashkuara në Katar.

Zoti Karzai me sa duket i irituar nga hapja e një zyre politike të talebanëve në Doha të Katarit, anulloi gjithashtu negociatat me Uashingtonin lidhur me paktin e trupave për praninë amerikane në vend pas tërheqjes së forcave të NATO-s në vitin 2014.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, tha se sekretari i Shtetit, John Kerry, foli dy herë me zotin Karzai dje, në përpjekje për të ulur kundërshtimet e udhëheqësit afgan për bisedimet që ishin caktuar të fillonin sot, por tani për tani data e fillimit të tyre nuk është e qartë.

Planet u njoftuan të martën ndërkohë që zyrtarët talebanë hapën zyrtarisht një zyrë të re në Doha të Katarit. Grupi thotë se kërkon të gjejë zgjidhje politike mbi krizën në Afganistan.

“Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara të tregohen të sinqerta duke patur parasyshë përfitimet për popullin afgan gjatë negociatave tona,” - thotë Mohammed Naeem, Përfaqësues i talebanëve.

Talebanët po ashtu thanë se do të kundërshtojnë çdo përpjekje për ndërmarrje sulmesh nga Afganistani ndaj vendeve të tjera. Zyrtarët amerikanë thonë se bisedimet do të fillojnë të enjten në Doha. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit pritet të takohen me delegacionin taleban, në atë që autoritetet i cilësojnë si bisedime paraprake.

Vetëm disa orë para njoftimit të bisedimeve, katër ushtarë amerikan u vranë nga sulmet e talebanëve në bazën ajrore Bagram.
XS
SM
MD
LG