Lidhje

Afganistan: Të paktën 15 kadetë humbin jetën nga një sulm vetëvrasës


Një sulm vetëvrasës sot para akademisë ushtarake në Kabul, shkaktoi vdekjen e të paktën 15 kadetëve dhe plagosjen e disa të tjerëve, tha Ministria e Mbrojtjes e vendit.

Sulmi ndodhi një ditë pasi një ekstremist i grupit Shteti Islamik, hyri me forcë në xhami shiite në qytet, duke vrarë 50 besimtarë dhe duke plagosur dhjetra të tjerë.

Policia afgane dhe dëshmitarët thanë se sulmi i së shtunës ndodhi kur autori hodhi veten në erë pranë një furgoni të mbushur me kadetë në hyrjen kryesore të Akademisë ushtarake “Marshal Fahim” në kryeqytet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Dawlat Waziri konfirmoi numrin e viktimave dhe tha se katër të tjerë u plagosën.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por Talebanët shpesht vënë në shënjestër forcat afgane dhe ndërkombëtare në Afganistan.

Dje, një sulm vetëvrasës ndodhi në një xhami në krahinën Ghor të Afganistanit, ku 33 besimtarë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën nga një sulm vetëvrasës.

Afro 200 veta, pjesa më e madhe pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë në sulme të ndryshme të militantëve gjithandej Afganistanit këtë javë, duke e bërë javën më vdekjeprurëse në muajt e fundit.

Një sulm me bomba dhe armë zjarri të enjten në krahinën e Kandaharit la pas vetes të paktën 43 ushtarë të vrarë. Sulmuesit pothuajse e fshinë nga faqja e dheut bazën e ushtrisë afgane në Maiwand.

Të martën një sulm mbi shtabin e policisë në krahinën Paktia la pas vetes 60 të vrarë dhe 300 të plagosur. Shefi i policisë krahinore ishte në mesin e të vrarëve. Një sulm tjetër të njëjtën ditë në krahinën Ghazni, la pas vetes 20 të vrarë.

XS
SM
MD
LG