Lidhje

Afganistan, dhjetëra të vrarë e të plagosur në Kabul


Forcat qeveritare afgane i dhanë fund një rrethmi gjatë natës në hotelin Interkontinental në Kabul që rezultoi në shumë të vdekur dhe të plagosur. Të paktën 14 të huaj thuhet se janë mes viktimave. Rrethimi zgjati 14 orë ndërsa gjashtë prej atyre që sulmuan ose hodhën veten në erë ose u vranë nga forcat afgane.

Gjithçka filloi kur njerëz me uniforma ushtarake, të armatosur dhe me jelekë me eksplozivë u futën në kuzhinën e hotelit. Prej aty ata kaluan në sallat e konferencave dhe kate të tjera të ndërtesës, duke qëlluar ndaj njerëzve.

Gazetarët afganë që vizituan vendngjarjen njoftuan në median sociale se kishin parë dhjetëra trupa brenda hotelit. TOLOnews, stacioni më madh televiziv në Afganistan, citoi një “burim të besushëm nga radhët e sigurisë” se sulmi kishte lënë 43 të vdekur. Mumtaz Ahmad është një nga të mbijetuarit në hotelin e Kabulit.

“Po shkoja tek recepsioni. Kur dera e ashensorit u hap, pashë dy vetvrasës të armatosur. Njerëzit po vraponin të shpëtonin ndërsa sulmuesit qëllonin ndaj tyre. Mbylla derën e ashensorit dhe shkova në katin e katërt. Dhoma ime ishte në katin e dytë.”

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi, i tha Zërit të Amerikës se sulmuesi i fundit hodhi veten në erë para mesnatës së të dielës, duke i vënë zjarrin katit të gjashtë ku ishte ngujuar. Ai tha se më shumë se 161 njerëz, përfshi 41 të huaj, u shpëtuan nga hoteli.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, e dënoi sulmin dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.

Kryengritja talebane mori përgjegjësinë për sulmin, për cilin tha se vrau dhe plagosi dhjetëra “pushtues të huaj”, përfshi forca speciale amerikane, komando dhe oficerë të zbulimit. Është e zakonshme për talebanët që të zmadhojnë deklaratat për sulmet e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG