Lidhje

Sulm në Afganistan, vriten rreth 30 ushtarë


Kryengritësit talebanë sulmuan një bazë ushtarake të rëndësishme në Afganistanin verilindor, duke vrarë të paktën 30 ushtarë dhe plagosur 17 të tjerë.

Zyrtarët i thanë Zërit e Amerikës se sulmi i befasishëm para agimit në distriktin e Kharaj Ghar të provincën Takhar u mundësoi rebelëve të konfiskonin të gjitha pajisjet ushtarake që ndodheshin në bazën e Armatës Kombëtare Afgane (ANA).

Zëdhënësi i qeverisë së provincës Sunatullah Timoori tha se pas sulmit në zonë shpërthyen përleshje të ashpra të armatosura dhe se forcat tokësore afgane u mbështetën nga ato ajrore në një përpjekje për të zmbrapsur kryengritësit.

Sipas disa njoftimeve, 40 pjesëtarë të forcave qeveritare humbën jetën.

Sipas zyrtarëve të ushtrisë afgane e ashtuquajtura "Njësia e Kuqe", forca komando e talebanëve e kreu sulmin duke përdorur syze të posaçme për të parë natën.

Zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid tha se luftëtarët e grupit vendosën kontrollin në 11 vend-strehime të sigurisë, përpara se të futeshin në bazën e ANA-s.

Në një deklaratë dërguar gazetarëve, Mujahid pohoi se si pasojë e ofensivës kryengritëse ishin vrarë më shumë se 70 ushtarë afganë, ishin konfiskuar disa tanke dhe automjete të blinduara përfshirë dhe armë, megjithëse pretendimet e talebanëve kanë treguar shpesh se janë të fryra në shifra.

Në një deklaratë të ministrisë afgane të mbrojtjes u tha se sulmet ajrore synonin një takim të profilit të lartë të talebanëve në provincën juglindore Ghazni, ku u vranë 24 kryengritës dhe u plagosën 17 të tjerë.

Sipas deklaratës, mes të plagosurve ishin disa komandantë kryesorë të rebelëve, përfshirë Amir Khan Mutaqi, një ish-ministër taliban gjatë 1996-2001, kohë kur grupi islamik kishte në kontroll shumicën e Afganistanit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG