Disa komunitete të Afrikës Perëndimore po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për trajtimin e problemit në rritje të mbeturinave elektronike. Të shqetësuar nga substancat toksike të mbeturinave elektronike, disa organizata kanë filluar programe riciklimi që ndihmojnë mjedisin dhe krijojnë vende pune për njerëzit.
Në vendin ku hidhen mbeturinat në periferi të kryeqytetit të Ganës, Akra, kafshët kullosin në grumbujt e plehrave, fëmijët luajnë në mes të plehrave dhe të rriturit shikojnë për pajisje elektronike që mund t’i shesin.
Në vendin ku debozitohen sasitë më të mëdha të mbeturinave elektronike në Afrikë, njerëzit kërkojnë pajisje me nivel të lartë platini, ari dhe argjendi.
Gudou Tanh nëntë vjet më parë u zhvendos këtu nga Gana veriore duke kërkuar një vend pune në Akra. Ai kontrollon mbeturinat elektronike me shpresën se do të gjejë pjesë të pajisjeve që mund t’i shesë.
"Kjo është gomë, kjo ka alumin dhe kjo është hekur. Për secilën pjesë paguhem ndryshe", thotë ai.
Për këtë mbushje printeri, 22 vjeçari Tanh thotë se në maksimum ai do të marrë 1,5 dollarë.
"Unë fitoj pak para dhe nganjëherë ia jap ato familjes”, thotë ai.
Qarqet, televizorët, kabllot dhe frigoriferët për të hequr pjesët e tyre metalike.
Në shumë raste, plastika duhet të digjet për të arritur te korniza metalike, një proces që emeton substanca të dëmshme toksike si plumbi, merkuri dhe arseniku.
Sendet e pariciklueshme ose të papërdorshme vendosen në një vend të përhershëm në këtë sipërfaqe prej 14 hektarësh mbetjesh toksike.
Vendet për hedhjen e mbeturinave elektronike si në Agbogbloshie janë të zakonshme në Afrikën Perëndimore, përfshirë Bregun e Fildishtë.
Programi Mjedisor i Kombeve të Bashkuara vlerëson se bota krijon deri në 50 milionë ton mbeturinash elektronike në vit, një pjesë e së cilës dërgohet në Afrikë për asgjësim.
Në Abixhan, kryeqyteti ekonomik i Bregut të Fildishtë, organizata jo-qeveritare, Lëvizja për Arsim, Shëndetësi dhe Zhvillim (MESAD) po përpiqet të gjejë një zgjidhje për këtë çështje.
Falë fondeve të investitorëve vendas, grupi ka organizuar një ekip për të ricikluar në mënyrë të sigurtë telefonat e vjetër duke blerë pjesët e papërdorshme të mbeturinave.
Menaxherja e projektit, Isobelle Gabou thotë se është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi për rreziqet nga mbeturinat elektronike.
"Ne nuk kemi struktura për riciklim ose përpunim, kështu që telefonat e papërdorur celularë hidhen jashtë në natyrë ose digjen, dhe këto veprime janë të dëmshme për mjedisin dhe për shëndetin", thotë Gabou.
Që nga fillimi i punës së tyre në vitin 2013, ky grup ka dërguar më shumë se 20 ton mbetje celularësh në Francë për riciklim të duhur.
Çdo pjesë e telefonit, përfshirë baterinë, kornizën dhe tastierën, çmontohet me kujdes.
Gabou thotë se puna e tyre është larg përfundimit, pasi vetëm në Abixhan rreth 19 mijë ton mbetje elektronike ende janë të paricikluara.
"Për ata që jetojnë afër tyre, ato janë të dëmshme për shëndetin e tyre dhe të pasardhësve të tyre, sepse këto toksina janë gjëra që kalojnë përmes qarkullimit të gjakut".
Constant Akim është ambasador i projektit. Ai viziton dyqanet lokale të riparimit dhe blen telefona portativë në rajonin verior Cocody.
Ai thotë se është krenar për punën që bën, duke thënë se kjo do të ketë një ndikim pozitiv në brezat e ardhshëm.
"Puna jonë ndikon edhe mjedisin dhe shëndetin pasi kemi vërejtur se menaxhimi jo i duhur i baterive, për shembull, është i rrezikshëm për shëndetin e popullatës".
OKB-ja thotë se 7 miliardë njerëzit që jetojnë botë kanë më shumë se 6 miliardë telefona.
Sasitë e mëdha të frigoriferëve, telefonave celularë, televizorëve dhe mbeturinave të tjera elektronike që asgjësohen çdo vit në mbarë botën pritet të rriten me një të tretën deri në vitin 2017, sipas një studimi të OKB-së të vitit 2013.