Lidhje

AI për të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe Kosovë


Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, në raportin vjetor mbi “Gjendjen e të Drejtave të Njeriut në Botë”, në pjesën për Shqipërinë, ngre shqetësimet për gjendjen e pakicave kombëtare, të fëmijëve, çështjen e të zhdukurve, sistemin e drejtësisë dhe gjendjen e burgjeve.

Në raport theksohet se autoritetet nuk kanë bërë asnjë përparim në vënien përpara drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për zhdukjen me forcë në vitin 1995 të Remzi Hoxhës një shqiptar nga Maqedonia, fati dhe vendndodhja e tij mbetet ende e panjohur.

Qeveria ka filluar të bashkëpunojë me Komisionin Ndërkombëtar për personat e zhdukur për të gjetur dhe identifikuar eshtrat e shqiptarëve të zhdukur nën regjimin komunist midis viteve 1944 - 1991. Edhe më tej rreth 6 mijë persona ndodhen në listën e të zhdukurve.

Raporti vë në pah se në muajin qershor të vitit 2016 autoritetet në Tiranë kërcënuan me dënim me forcë mbi 80 familje, kryesisht rome dhe egjiptiane që jetojnë në një zonë të rrezikuar nga përmbytjet, por nuk kishin siguruar nja strehim tjetër.

Sipas raportit, në muajin qershor, një gjykatë pezulloi kreun e Policisë së Shtetit, për abuzim dhe pjesëmarrjen në vendosjen e pajisjeve regjistruese në komisariatet e policisë. Në përgjigje, kryeministri dhe ministri i Brendshëm akuzuan gjyqësorin se po i shërben opozitës duke dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit.

Në muajin korrik, parlamenti miratoi një reformë në drejtësi që ndryshoi dhjetëra nene të Kushtetutës dhe futi legjislacionin e ri për të siguruar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit dhe për të parandaluar ndërhyrjet e politikes dhe korrupsionin.

Gjatë vitit të kaluar mbi 1 mijë kërkesa për strehim janë paraqitur tek autoritetet në Shqipëri, pa mbylljes së kufirit Greqi dhe Maqedoni, që nxiti shumë emigrantë të kërkojnë mbrojtje në Shqipëri.

Nga ana tjetër, sipas raportit, rreth 20 mijë shqiptarë kanë bërë kërkesa për strehim në vendet e Bashkimit Evropian, shumica e tyre në Gjermani. Mirëpo, shumica e kërkesave janë refuzuar, meqë Shqipëria është përfshirë në listën e "vendeve të sigurta të origjinës”.

Raporti thekson se në muajin mars, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës ka shprehur shqetësime lidhur me kushtet e paraburgimit në Shqipëri. Komiteti ka dokumentuar raporte të shumta nga të paraburgosurit – duke përfshirë të mitur – për keqtrajtim nga punonjësit e policisë, që në disa raste përfshijnë edhe përdorimin e torturës.

Raporti kujton se në muajin maj, tortura apo keqtrajtimet e tjera të fëmijëve, përfshirë abuzimin seksual të vajzave, në një jetimore në qytetin e Shkodrës, shkaktoi një skandal kombëtar, pasi prokurori i rrethit zbuloi shkallën e abuzimit. Pesë persona, duke përfshirë edhe ish-drejtori i jetimores, u arrestuan.

Në pjesën për Kosovën, raporti vë theksin tek 1 mijë e 600 personat e zhdukur gjatë luftës fati i të cilëve edhe më tej mbetet i panjohur.

Organizata thekson se ende nuk janë identifikuar vende të tjera në Serbi apo Kosovë për varreza të mundshme masive.

Sipas këtij raporti, përparimi i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, kanë mbetur të kufizuara dhe marrëveshjet e bashkëpunimit mes të dyja palëve mbesin të pazbatuara.

Ky raport vë në pah se gjendja e komuniteteve pakicë në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë. Aty thuhet se komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të vuajnë nga diskriminimi institucional, posaçërisht sa i takon zgjidhjes së qëndrueshme për strehim dhe punësim. Këto komunitete, thuhet në raport, vazhdojnë të jetojnë në vendbanime joformale të mbipopulluara pa qasje të përshtatshme në ujë dhe shërbime të tjera thelbësore.

Organizata rikujton se në muajin shkurt të vitit të kaluar, paneli këshillues për të drejtat e njeriut, (HRAP), nxori një opinion mbi një ankesë të këtyre komuniteteve, familjet e të cilave ishin helmuar në një kamp të drejtuar nga Kombet e Bashkuara në qytetin verior të Mitrovicës. HRAP tha se misioni i Kombeve të Bashkuara i ka trajtuar këto familje në mënyrë johumane dhe degraduese, ka dështuar në respektimin e të drejtave të tyre, privatësisë, jetës familjare dhe shëndetit, dhe i ka diskriminuar në baza etnike. Për më tepër UNMIKU-ut i është kërkuar që publikisht të pranojë dështimin për respektimin e të drejtave të njeriut dhe përveç tjerash, tu paguajë kompensim këtyre familjeve.

Raporti i Amnesty International flet edhe për zgjatjen e mandatit të EULEX-it deri në vitin 2018 në Kosovë, duke vënë në pah faktin se ky mision nuk do të hap hetime të reja. Rrjedhimisht qindra raste të krimit sipas ligjeve ndërkombëtare do ta kalojnë te autoritetet e Kosovës, pavarësisht deklaratave të Komisionit Evropian se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i ngadalshëm dhe i ndikuar politikisht.

Raporti i Amnesty International, dokumenton gjendjen e të drejtave të njeriut në 159 vende dhe territore gjatë vitit 2016. Aty thuhet se për miliona njerëz, viti 2016 ishte një vit i mjerimit dhe frikës, derisa qeveritë dhe grupet e armatosura kanë abuzuar me të drejtat e njeriut në mënyra të ndryshme. Numër i madh njerëzish vazhduan të ikin nga konflikti dhe represioni në shumë rajone të botës. Në mesin e çështjeve të tjera të përhapura, ky raport dokumenton torturën dhe keqtrajtimet e tjera të vazhdueshme, dështimin për respektimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese, dhe një kulturë të mosndëshkimit për krimet e së kaluarës.

XS
SM
MD
LG