Lidhje

Miliarda dollarë ndihmë për palestinezët


Vende të ndryshme të botës kanë premtuar 5.4 miliardë dollarë ndihmë për palestinezët. Gjysma e kësaj shume është paracaktuar për rindërtimin e Rripit të Gazës. Ministri i Jashtëm norvegjez Borge Brende njoftoi shumën të dielën në mbyllje të një konference në Kairo ku morën pjesë 30 vende.

“Pjesëmarrësit premtuan për rreth 5.4 miliardë dollarë. Gjysma do t’i dedikohet rindërtimit të Gazës, dhe ata u angazhuan për të filluar shpërndarjen e asistencës sa më shpejt të jetë e mundur për të sjellë përmirësim në jetën e përditshme të palestinezëve,” - tha zoti Borge.

Ndër donatorët më të mëdhenj është Katari, vend i Gjirit Persik me pasuri të gazit natyror, i cili premtoi rreth 1 miliardë dollarë.

Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry, njoftoi kontributin amerikan:

“Jam krenar që tashmë populli amerikan ka ofruar 118 milionë dollarë gjatë muajve të fundit për ndihmë të menjëhershme humanitare, dhe përveç kësaj edhe 84 milionë dollarë për përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për operacionet në Gazë. Sot njoftova edhe 212 milionë dollarë në ndihmë të popullit palestinez.”

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas u shpreh se do të nevojiten 4 miliardë dollarë për të riparuar pjesë të mëdha të territorit të shkatërruar gjatë luftës 50-ditëshe ndërmjet militantëve të Hamasit dhe Izraelit gjatë muajve korrik dhe gusht.

XS
SM
MD
LG