Lidhje

Aksidenti i parë bërthamor ofron mësime për rastet e mëvonshme


Aksidenti i parë bërthamor ofron mësime për rastet e mëvonshme
Aksidenti i parë bërthamor ofron mësime për rastet e mëvonshme

Në orët e para të agimit më 28 mars 1979, një valvë në njërin prej dy reaktorëve të centralit në Ishullin Tre Milje të shtetit Pensilvania nxiti një zinxhir zhvillimesh që çuan në aksidentin e parë bërthamor komercial në botë.

Komisioni Rregullarator Bërthamor, i njohur shkurtimisht si NRC, nxori se aksidenti ishte rezultat i kombinimit të defekteve teknike, problemeve të hartimit dhe gabimeve nga ana e punonjësve. Nuk pati të vrarë apo të plagosur nga aksidenti. Por megjithatë, ishte një ngjarje pikëlluese ndërkohë që Shtetet e Bashkuara mundoheshin të trajtonin diçka që nuk kishte ndodhur më parë.

Ndërkohë që lajmi i aksidentit u përhap në gjashtë ditët që pasuan, tensioni tek publiku u përhap me furi. Riçard Thornbërg, i cili ishte guvernator i Pensilvanisë në atë kohë, thotë se fillimisht ai dha informacione të gabura apo konfuze sepse i duhej të mbështetej tek informacionet e kompanisë energjetike që shfrytëzonte centralin. Ai i kërkoi ndihmë qeverisë federale dhe NRC dërgoi një inxhinier bërthamor, për të cilin ish-guvernatori thotë se ishte heroi i Ishullit Tre Milje.

“Ishte një kohë tejet stresuese deri të premten më 30 mars 1979 kur edhe erdhi Harold Denton, i cili u dërgua nga presidenti Karter pas kërkesës sime. Ai ishte inxhinier karriere me NRC. Ai u bë burimi ynë kryesor dhe bëri një ndryshim të madh.”

Për një publik nervoz i cili ishte po ashtu i zemëruar nga burimet paraprake të informacioneve të gabuara, inxhinieri Denton u tregua i qetë dhe me një zë të besueshëm, i cili foli me autoritet dhe besueshmëri. Zoti Denton, tani në moshën 79 vjeçare, thotë se kishte mbështetje zyrtare për të folur me çiltërsi ndaj publikut rreth katastrofës në Ishullin Tre Milje.

“Kam patur një rol unik për aksidentin. Duke patur mbështetjen e presidentit Karter dhe guvernatorit Thornbërg kjo më dha një farë legjitimiteti për atë që njoftoja çdo ditë. U mundova t’i thoja gjërat ashtu sikurse ishin. Dikush mund të kishte opinion ndryshe por ky ishte synimi për tre javë që isha atje. Unë vajta në kohën e duhur, pasi kompania që shfrytëzonte centralin kishte humbur pjesë të besimit duke mos pranuar seriozitetin e aksidentit që nga fillimi.”

Aksidenti në centralin bërthamor në shtetin Pensilvania nuk ishte rezultat i ndonjë tërmeti apo cunami sikurse ndodhi në Japoni. Zoti Denton tha se reaktorët në Fukushima kanë pësuar dëmtime shumë më të mëdha çfarë ka rezultuar në rrezatim më të madh se sa në aksidentin amerikan. Inxhinieri Denton thekson ndryshimet themelore mes dy katastrofave. Energjia elektrike nuk u shkëput asnjëherë në rastin e centralit amerikan sikurse ka ndodhur në Japoni.

“Centrali amerikan pati energji elektrike dhe infrastruktura ishte e tillë që lejoi futjen e menjëhershme të punonjësve dhe pajisjeve të duhura. Në Japoni kjo ishte e pamundur dhe kishte shumë ndryshime.”

Megjithatë, thotë ish-guvernatori Thornbërg, sfidat teknike për të futur nën kontroll centralin amerikan apo të Fukushimës në Japoni dhe parandalimi i radiacionit janë virtualisht të njëjta. Po ashtu, të njëjta janë edhe sfidat për të dhënë informacione të besueshme dhe ruajtur kredibilitetin përballë publikut të shqetësuar. Ai thotë se zyrtarët japonezë po e mësojnë këtë përmes një rruge të vështirë.

“Rishqyrto sukseset dhe mund të bëhesh vendimmarrësi më i mirë në botë. Por nëse i merr vendimet bazuar në faktet që janë gabim, këto vendime janë të pavlera. Si rezultat i premisave themelore të çdo vendimi që do të marrësh dhe trajtimit të situatës, kjo do të thotë se i kupton faktet. Në të kundërtën, punët nuk janë mirë dhe kjo u ndodhi atyre disa herë.”

Sikurse thekson inxhinieri Harold Denton, aksidenti në Ishullin Tre Milje çoi në humbjen e besimit tek publiku për industrinë e energjisë bërthamore jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe në vende të tjera.

“Aksidenti bërthamor amerikan çoi në humbjen e besimit për industrinë dhe masat e sigurisë. Në 30 vjet nuk ka patur ndërtim të ndonjë centrali bërthamor. Nuk ishte vetëm frika e centraleve bërthamore por edhe shkaqet ekonomike. Centralet bërthamore u bënë më të kushtueshme po ta krahasosh me përdorimin e gazit natyral si burim energjie.”

Zoti Denton dhe analistë të tjerë e cilësojnë katastofën në Fukushima po aq të rëndë sa ajo në Ishullin Tre Milje, por jo aq të rendë sa aksidenti bërthamor i Çernobilit në Ukraninë në vitin 1986. Por ata thonë se dëmi përsa i përket besimit tek publiku ndaj energjisë bërthamore mund të jetë i krahasueshëm me të dy aksidentet e mëparshme.

XS
SM
MD
LG