Lidhje

Platformat dixhitale mundësojnë aktivizmin


Organizimi në baza komunitare është çelësi për të krijuar një lëvizje dhe një pjesë e mirë e këtij organizimi zhvillohet tani në forma dixhitale. Presidenti francez Emmanuel Macron arriti të sigurojë shumicën në parlamentin francez përmes platformës dixhitale që i ofroi kompania amerikane NationBuilder. Korrespondenti Mike O'Sullivan shpjegon se si politikanët dhe organizatat jo-fitimprurëse po e shfrytëzojnë teknologjinë për të siguruar përkrahje:

Emmanuel Macron habiti botën kur siguroi fitoren vjet në zgjedhjet presidenciale si kandidat i një partie të re.

Disa nga format që përdori për të siguruar më pas shumicën në Asamblenë Kombëtare ishin mjete dixhitale të kompanisë NationBuilder në Los Anxhelor.

"Macroni na punësoi ne për të gjithë fushatën e zgjedhjeve parlamentare. Punojmë me njerëz në të gjithë botën, parti dhe kandidatë politikë, organizata jo-fitimprurëse, biznese të vogla e të mëdha,” thotë shefja ekzekutive e kompanisë, Lea Endres.

Kushdo që do të sigurojë mbështetje apo të përhapë mesazhin e tij mund ta punësojë këtë kompani, apo të tjera që ofrojnë mjete dixhitale.

NationBuilder thotë se tërheq njerëz nga gjithë spektri politik, përfshirë kandidatë republikanë në Merilend apo udhëheqësin e Partisë së re Demokratike në Kanada.

Debati lidhur me Brexitin në 2016 për daljen e Britanisë nga BE-ja nxiti aktivistët që ishin kundër daljes të punonin me NationBuilder për të mobilizuar përkrahje.

"Dërgonim mesazhe me rrugë dixhitale nëpër pjesë të ndryshme të vendit; organizonim grupe për fushatë apo mobilizonim përkrahje. Përhapnim fjalën për aktivitete në zona të caktuara. Kjo platformë ofron mundësi për shumë elasticitet dhe nuk është e nevojshme të dërgosh spam-e me emaile,” thotë James MacCleary i Lëvizjes Evropiane në Britani.

Një organizatë që punon për të rigjeneruar rrugët ujore në Los Anxhelos dërgon emaile në adresa të përzgjedhura.

"Para gjashtë muajsh mund të kesh shprehur dëshirën të punosh me këtë organizatë sepse ti si person shqetësohesh për mjedisin. Nëse së shpejti do të ketë një aktivitet pranë vendit ku banon, ne të ftojmë të vish,” shpjegon Ryan Vaillancourt i kompanisë “NationBuilder”.

“NationBuilder” vepron në më shumë se 100 vende, ndër to edhe në vende afrikane, gjë që kërkon t’u përshtatet nevojave lokale.

"Ata nuk duan lista të gjata me adresa emaili, apo buletine të gjata me shpjegime. Duan të komunikojnë direkt me njerëzit në telefon, pasi telefonët inteligjentë janë burimi më i rëndësishëm i komunikimit që kanë për momentin,” thotë Toni Cowan-Brown me “NationBuilder”.

Njeriu është në qendër të promovimit të një kauze apo krijimit të një lëvizjeje, por mjetet për ta realizuar këtë tani i gjen në platformat dixhitale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG