Lidhje

Al Kaida në Jemen, shqetësim për SHBA


Jemeni njofton se ka zbuluar një komplot të al Kaidës për të pushtuar objektet e eksportit të naftës dhe gazit.

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara ende mbajnë një prani në Jemen, edhe pse kanë urdhëruar personelin jo të domosdoshëm të ambasadës amerikane të largohet nga vendi për shkak të mundësisë "jashtëzakonisht të lartë" të një sulmi terrorist.

Nëntëmbëdhjetë ambasada dhe konsullata amerikane në vende të ndryshme do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura deri të shtunën.

Ndërkohë që personeli jo i domosdoshëm i ambasadës amerikane në Jemen largohej pa bujë nga vendi, një sulm me avion të telekomanduar la të vrarë katër persona që thuhet se i përkisnin al-Kaidës.

Al-Kaida në Gadishullin Arabik prej vitesh ka vazhduar të rritet. Uashingtoni thotë se ky është grupi më aktiv dhe më i rrezikshëm që komploton kundër Shteteve të Bashkuara, siç u ripohua edhe në muajin janar nga Departamenti i Shtetit.

"Ata vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz ndaj Shteteve të Bashkuara dhe interesave të tyre dhe ne e shohim këtë si një ndër sfidat kryesore për sigurimin kombëtar," tha zëdhënësja Jen Psaki.

Jemeni besohet se është vendi më i varfër arab dhe vuan nga paqëndrueshmëria politike.

Mungesa e qëndrueshmërisë nxit terrorizëm, thotë ish-ambasadori James Jeffrey, i cili tani punon në Institutin për Politikat e Lindjes së Afërme në Uashington.

"Ata veprojnë në zonat ku nuk ka kontrolle të forta kufitare, ku nuk ka forca moderne të sigurisë të lidhura me Interpolin dhe kanalet ndërkombëtare të zbulimit." thotë zoti Jeffrey.

Në një rajon ku sulmet janë nganjëherë aq të shpeshta sa edhe namazi i mëngjesit, grupet terroriste kanë objektiva jo të vogla.

James Jeffrey
"Propaganda më e mirë për ta është nëse dëmtojnë një ambasadë. Njëlloj sikur të fundosësh një anije, sepse me këtë ata përpiqen tregojnë se Amerika është e dobët dhe e pambrojtur," thotë zoti Jeffrey.

Por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e dinë se edhe pse grupet terroriste planifikojnë sulme të mëdha, këto plane mund të zbulohen. James Carafano, pranë Fondacionit Heritage në Uashington, thotë se suksesi i terroristëve varet nga aftësia e tyre për të parashikuar.

"Ata duan të dinë se sa roje ka, kur shkëmbehen rojet, si lëviz personeli dhe çfarë do të bëjnë ky ose ai person në një ditë të caktuar. Prandaj, kur ka njoftime të tilla, si mbyllja e një ambasade apo forcim i masave të sigurisë, rrethanat ndryshojnë." thotë eksperti.

Zyrtarët në Departamentin e Shtetit thonë se qeveria jemenase vazhdon të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të luftuar grupe të tilla terroriste. Sekretari John Kerry ka folur me presidentin e Jemenit dhe e ka falenderuar për përpjekjet e tij lidhur me kërcënimet e kohëve të fundit.

Por është e paqartë se kur do të rikthehet personeli dhe kur do të rihapet ambasada amerikane në Jemen.
XS
SM
MD
LG