Lidhje

Kosovë, një kuadër ligjor për luftërat jashtë vendit


Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke kompletuar bazën ligjore për të parandaluar përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftën në Siri. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se baza ligjore do të mbështetet në praktikat më të mira të botës për këtë çështje, meqë Kosovës i mungon një praktikë e tillë.


Në mënyrë preventive dhe një përcjellje e këtij fenomeni, mungon baza ligjore, prandaj ne bashkërisht po mundohemi ta kompletojmë, në mënyrë që këtë fenomen, i cili megjithatë është shqetësues, ta përcjellim edhe me më shumë vëmendje, më me shumë mbikëqyrje, por në të njëjtën kohë edhe të kemi bazë ligjore nëse ka vend që të veprohet”, tha ministri Rexhepi.

Më herët agjencitë e zbulimit thanë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar. Ministri Rexhepi thotë se ka numra të ndryshëm por askush nuk e ka numrin e saktë, “sepse ndodhë që një i ri, ose çfarëdo individi, i cili do të shkojë në Siri, zakonisht shkon nëpërmjet Turqisë, e nëpërmjet saj qarkullojnë shumë njerëz të cilët kanë edhe bizneset e tyre dhe është shumë vështirë të dallohet se cili është, ndërsa kalimi ilegal nga Turqia në Siri, që kryesisht është ilegal, nuk ka bazë argumentuese me e ditë se cili ka qenë. Por, aty sillet diku, të dhënat e ndryshme janë për nja 80, si të sigurt, që mund të jetë me lartë më poshtë, aty diku sillet, 80 deri në 100 maksimumi”.

Ministri Rexhepi thotë që solidarizimi shqiptarëve në fillim të luftës në Siri me opozitën që luftonte kundër regjimit të Bashar Al Asadit, mund të ishte i natyrshëm duke pasur parasysh edhe të kaluarën e Kosovës. Por, gjërat atje kanë ndryshuar dhe në luftë janë përfshirë grupe të lidhura me organizata terroriste.

Fatkeqësisht, në bazë të informatave që kemi, shumica e këtyre djemve ose burrave që shkojnë në Siri, më tepër janë të sistemuar nëpër grupe të caktuara, të cilat janë edhe terroriste, disa, dhe më së paku janë një opozitë e mirëfilltë kundër regjimit të Asadit. Prandaj, këtu tash është pikëpyetje se cili është motivi. Dhe këta njerëz, të cilët nëse e kalojnë një kohë nëpër këto grupe, organizata, çfarë frymëzimi marrin dhe kur kthehen atëherë me të vërtetë paraqesin një problem shqetësues. Kështu që, nëse fjala ime vlen diçka, unë apeloj që, ne nuk kemi njerëz me çue posht, me shkue dhe me u indoktrinua nga grupe të caktuara qoftë terroriste dhe një frymë që nuk përkon me ambientin tonë”.

Ministri Rexhepi thotë se shkuarja në Siri ndodhë në rrugë individuale por ka edhe organizata joqeveritare që veprojnë në Ballkanin perëndimorë, që ndihmojnë dhe lehtësojnë shkuarjen e luftëtarëve të rajonit atje. Ai thotë se nuk është numri i atyre që shkojnë në Siri shqetësim për Kosovën, por dukuria, meqë Kosova është vend i njohur me islamin e saj laik.

Dhe çdo frymë e një islamizmi radikal, është shqetësues, për arsye se është e huaj për neve dhe normalisht që krijohet një imazh i keq për Kosovën. Kosova nuk është trualli ose vendi i përshtatshëm ku mund të zhvillohet një islamizëm radikal. Ne jemi shumë krenar për tolerancën dhe diversitetin e religjioneve që kemi dhe mirëkuptimin mes konfesioneve të ndryshme fetare. Ndërsa, nesh ty të vjen një rrymë e cila është intolerante dhe ndjell urrejtje ndaj konfesioneve tjera, ajo është e rrezikshme dhe natyrisht që aty duhet me të gjitha instrumentet të gjejmë formën, jo vetëm të veprimit ose të ndjekjes penale, por edhe segmentet tjera të shoqërisë të bëjnë punën e vet në mënyrë që të mos na forcohet një element i tillë”, tha zoti Rexhepi.

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë thirrje në disa raste kundër përfshirjes së shqiptarëve luftën në Siri dhe që të mos bihet pre e interpretimeve të gabuara të islamit, thirrje të cilave u janë bashkuar tashmë edhe Bashkësitë Islame në Shqipëri e Maqedoni.

XS
SM
MD
LG