Lidhje

Turqia klasifikon Frontin al-Nusra si organizatë terroriste


Turqia e ka klasifikuar Frontin al-Nusra Front, një grup radikal islamist i lidhur me al-Kaidën që po lufton në Siri, si organizatë terroriste. Ky vendim po konsiderohet si një kthesë e rëndësishme në politikën e Ankarasë ndaj konfliktit sirian.

Vendimi i qeverisë turke për ta klasifikuar Frontin al-Nusra si organizatë terroriste është në përputhje me politikën e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore: në dhjetor 2010, Uashingtoni e futi këtë organizatë në listën e grupeve terroriste.

Semih Idiz, një analist i diplomacisë për faqen e internetit Al Monitor dhe gazetën turke Taraf, thotë se deri tani Ankaraja e shihte al-Nusrën krejt ndryshe nga aleatët perëndimorë.

"Turqia ishte në fillim disi e distancuar, duke menduar se ishte një forcë efektive kundër ushtrisë së Bashar al-Assadit dhe se i duhej dhënë më shumë fleksibilitet në operacionet e saj. Por ndalimi i saj, tregon se Turqia është nën trysni si nga aleatët perëndimorë, ashtu edhe nga rreziku që këto lloj grupesh përbëjnë për Turqinë vetë”.

Vëzhguesit thonë se Ankaraja kishte dhënë një mbështetje të heshtur për al- Nusrën, duke kuruar të plagosurit e këtij grupi dhe duke siguruar mbështetje logjistike, si edhe duke i lejuar forcat e tij të përdornin territorin turk për të rimarrë veten. Partia Republikane e Popullit, forca kryesore e opozitës e akuzoi Partinë AK në pushtet, pas një incidenti vitin e kaluar kur policia paraushtarake kapi kamiona me armë pranë kufirit me Sirinë që ishin shoqëruar nga oficerë të zbulimit.

Qeveria i mohoi me forcë akuzat, duke thënë se ngarkesa ishte për banorët me përkatësi etnike në Turqi. Por analisti Sinan Ulgen i Institutit Carnegie në Bruksel thotë se edhe aleatët perëndimorë të Turqisëishin të shqetësuar për marrëdhënien e Ankarasë me al-Nusrën dhe se klasifikimi i tij si grup terrorist i hap rrugën bashkëpunimit më të madh mes Turqisë dhe aleatëve të saj perëndimorë lidhur me Sirinë.

"Me kalimin e kohës kjo do ta bëjë më të thjeshtë një dialog për politika me partnerët e Turqisë për cështjen e menaxhimit të ndihmës për disa nga ato grupe rebele në Siri, pasi Ankaraja tregoi se ka shqetësime të ngjashme me ato të partnerëve të vet për natyrën e këtyre grupeve”.

Vendimi i Ankarasë ka gjasa të sjellë edhe një bashkëpunim më të madh me aleatët perëndimorë për të ndaluar valën e xhihadistëve nga Evropa që kalojnë përmes Turqisë për të shkuar në luftë në Siri. Vëzhguesit thonë se nuk bëhet fjalë vetëm për presion ndërkombëtar por edhe për shqetësimin në rritje të Turqisë për praninë e al-Nusrës në territorin e saj. Një mur është ndërtuar përgjatë disa segmenteve të kufirit prej 900 kilometrash së Turqisë me Sirinë, mes shqetësimeve në rritje të sigurisë.

Analisti Idiz thotë se forcat turke të sigurisë do ta vënë tani në shënjestër al-Nusrën.

"Do të ketë më shumë kontrolle të kalimit të kufirit nga ana e elementëve të këtij grupi. Tani që Turqia e ka ndaluar zyrtarisht këtë grup, forcat e sigurisë do të jenë të detyruara të ndalojnë depërtimin e armëve. Nuk ka dyshim që edhe aleatët e Turqisë në perëndim do ta ndjekin situatën”.

Forcat turke të sigurisë kanë përvojë në gjetjen e grupeve radikale islamike që veprojnë në Turqi dhe po shpërbëjnë shumë baza të al-Kaidës. Analisti Ulgen thotë se hapa të tillë do të duhet të merren me shpejtësi.

"Tani Turqia do të shihet si armike nga al-Nusra dhe jo më si një vend që deri tani e ka mbështetur në luftën kundër Assadit. Pra tani është rritur rreziku se al-Nasra mund të godasë interesat dhe objektivat turke”.

Duke cituar burime të sigurisë, media turke ka njoftuar se persona të al-Nusrës që duan të ndërmarrin sulme vetëvrasëse, janë të vendosur në Turqi dhe kanë në plan të vënë në shënjestër figura të opozitës siriane jetojnë në Turqi. Në vitin 2003, një bazë e al-Kaidës ndërmori një sërë sulmesh vetëvrasëse me bomba në Stamboll. Forcat turke të sigurisë do të punojnë me intensivitet për të parandaluar sulme të ngjashme.
XS
SM
MD
LG