Lidhje

Analistët: Elementë radikalë islamikë veprojnë në universitete britanike


Analistët: Elementë radikalë islamikë veprojnë në universitete britanike
Analistët: Elementë radikalë islamikë veprojnë në universitete britanike

Hetimet e një grupi sigurie kanë gjetur prova se në një universitet të Londrës operojnë ekstremistë islamikë. Aktivitetet në universitete janë ndjekur nga afër prej autoriteteve britanike, pasi nigeriani Omar Faruk Abdulmutallab, u përpoq të hidhte në erë një aeroplan i nisur për në Detroit Krishtlindjet e vitit të kaluar. Ai studjoi 3 vjet në një universitet të Londrës dhe gjatë kësaj periudhe kishte qënë edhe president i organizatës së universitetit Shoqëria Islamike.

Universiteti i Qytetit të Londrës është një nga institucionet më prestigjoze të kryeqytetit britanik, ku vijnë studentë nga e gjithë bota.

Por një hetim i ri thotë se disa nga pjesëtarët e Shoqërisë Islamike Suni të universitetit kanë interpretime ekstreme të islamit, dhe përpiqen të radikalizojnë myslimanë të tjerë në kampus.

Raporti u bazua pjesërisht tek regjistrimi i faljeve të së premtes. Një prej të premteve, faljet drejtoheshin nga presidenti i Shoqërisë Islamike, Saleh Patel.

"Kur na thonë se shteti islamik na mëson t’ia presim dorën hajdutit, kjo është e vërtetë. Na mëson edhe se duhet të qëllojmë me gurë një njeri që tradhëton bashkëshortin ose bashkëshorten. Shteti islamik na mëson edhe të vrasim ata që mohojnë fenë e tyre".

Analistja Lusi Xhejms, nga Fondacioni Kuilliam, e cila kryesoi hetimet, thotë se disa pjesëtarë të Shoqërisë Islamike nxisin akte dhune.

"Po shfaqen edhe forma më pak tolerante dhe të dhunshme të Islamit. Për shembull, njerëzit që nuk falen pesë herë në ditë duhet të vriten, madje ftohen predikues në kampus që mendojnë se homoseksualët duhet të hidhen nga maja e malit. Kjo është një formë ekstreme Vahabizmi e përzier me një formë politike islamizmi".

Hetimet e Fondacionit Kuilliam gjetën edhe artikuj e imazhe në faqen e Shoqërisë Islamike Suni që sulmojnë myslimanët shiitë.

Shoqërisë Islamike të Universitetit të Qytetit të Londrës iu kërkua një intervistë, por askush nuk u përgjigj.

Çështja e radikalizimit islamik të univesiteteve në Britani doli në pah pas dështimit të sulmit me bombë në një aeroplan për në Detroit vitin e kaluar në Ditën e Krishtlindjeve.

Personi që do ta kryente sulmin me bombë, një qytetar nigerian i quajtur Omar Faruk Abdulmutallab, kishte kaluar tre vjet studime në Kolegjin e Universitetit të Londrës nga viti 2005, dhe ishte bërë president i Shoqërisë Islamike në vitin e dytë. Ai shkoi pastaj për studime në Jemen ku besohet se planifikoi sulmet me ndihmën e operativëve të al-Kaidës me bazë në atë vend.

Universiteti sapo ka përfunduar edhe hetimet e veta rreth periudhës së Abdulmutallabit në atë universitet.

Profesor Anthoni Finkelstin thotë se faktet tregojnë se ai nuk ishte radikalizuar në atë universitet.

"Gjëja kryesore që njerëzit mbanin mend ishte se sa i paveçantë ishte ky njeri. Ai ishte student që i përfundoi studimet në një nivel të kënaqshëm".

Profesor Finkelstin thotë se duhet gjetur ekuilibri mes lirisë së studentëve për të debatuar idetë e tyre dhe mbajtjes së “predikuesve të urrejtjes” larg kampusit.

"Studentët tanë janë djem dhe vajza të mençura, por shpesh ndodhen në pika të pambrojtura të jetës së tyre, në tranzicione të shumëllojshme...Prandaj ata vihen në shenjestër nga njerëz që u duan të keqen atyre dhe neve".

Rashid Ansari, anëtar ekzekutiv i Federatës së Soqërive Islamike të Studentëve, thotë se këto shoqëri nuk po merren peng nga ekstremistët.

"Shoqëritë islamike janë ndoshta më të hapurat dhe më demokratiket në kampus, por edhe më të kontrolluarat për shkak të idesë së ekstremizmit dhe radikalizimit që thuhet se po ndodh sipas institucioneve studimore dhe shtypit të djathtë. Ata janë gjithnjë nën vëzhgim dhe çfarëdo që ndodh bëhet publike menjëherë."

Autoritetet universitare thonë se nuk mund dhe nuk duhet të kontrollojnë çdo veprimtari të studentëve të tyre. Megjithatë, gjithnjë e më shpesh, ata gjenden në krye të betejës për të parandaluar përhapjen e pikpamjeve ekstremiste.

XS
SM
MD
LG