Lidhje

Klinton i bën thirrje Senatit të ratifikojë sa më parë traktatin e ri START


Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, paralajmëroi dje se vonesa nga Senati për ratifikimin e traktatit të ri me Rusinë për pakësimin e armëve strategjike do të dëmtonte sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Ky traktat i finalizuar në muajin prill është kritikuar ashpër nga republikanët.

Në një deklaratë që pati si objektiv kritikët republikanë të traktatit, sekretarja Klinton tha se traktati i ri START nuk do të kufizojë përpjekjet amerikane për mbrojtjen nga raketat dhe as modernizimin e arsenalit amerikan të armëve bërthamore.

Por ajo tha se mosratifikimi i tij do të pengonte Shtetet e Bashkuara të monitoronin programin strategjik bërthamor të Rusisë, duke çuar në pasiguri dhe prishje të stabilitetit. Zonja Klinton i bëri këto deklarata në një konferencë shtypi sëbashku me ekipin e Departamentit të Shtetit për kontrollin e armatimeve.

Kryetari i komisionit të Senatit për marrëdhëniet me jashtë, Xhon Keri e shtyrë paraqitjen e traktatit përpara Senatit deri më mes të shtatorit dhe deri tani vetëm republikani Riçard Lugër, anëtar i komisionit, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij. Sekretarja Klinton tha se administrata do të punojë për zgjidhjen e problemeve të mbetura ndërkohë që Kongresi është me pushimet e verës. Por ajo theksoi se komisioni i Senatit duhet të veprojë me shpejtësi kur të kthehet në shtator.

"Kur Senati të kthehet në sesionin, duhet të veprojë shpejt sepse siguria jonë kombëtare është në rrezik. Është urgjente që traktati të ratifikohet, sepse aktualisht na mungon mekanizmi i verifikimit me Rusinë, gjë që dëmton interesat tona kombëtare. Mundësia jonë për të mësuar dhe kuptuar ndryshimet në arsenalet bërthamore të Rusisë do të zvogëlohet pa këtë traktat. Me kalimin e kohës pasiguria do të shtohet. Me pasigurinë vjen edhe paparashikueshmëria që është një problem, i cili duhet trajtuar patjetër kur bëhet fjalë për armët bërthamore”.

Sekretarja Klinton theksoi mbështetjen për traktatin e ri nga burra republikanë shteti dhe figura të kontrollit të armatimeve dhe tha se më në fund traktati do të fitojë mbështetjen e republikanëve në frymën e traditës së bashkëpunimit dypartiak për kontrollin e armatimeve.

"Unë besoj se ky traktat është shumë i rëndësishëm dhe meriton një përgjigje të menduar mirë nga anëtarët e Senatit. Ai nuk duhet të mbërthehet në asnjë mënyrë nga politika e këtij viti zgjedhjesh. Po t’i hedhim një vështrim të kaluarës, mbështetja ka qënë 95 pro dhe asnjë votë kundër dhe 98 pro me 3 kundër, votime që tregojnë një angazhim të madh nga të dy partitë për pakësimin e armëve”.

Zyrtarët në Departamentin e Shtetit presin që republikanë të tjerë në komisionin e Senatit për marrëdhëniet me jashtë të shprehen pro traktatit, ndërkohë që po afrohet votimi në Senat. Ata janë më të kujdesëshëm në parashikimin e votimit në Senat, ku duhen dy të tretat ose 67 vota për ratifikimin e traktatit.

XS
SM
MD
LG