Lidhje

Ku i kanë rrënjët debatet rreth ndërtimit të një xhamie në Nju Jork?


Ka kundërshtime të forta rreth ndërtimit të një qendre islamike pranë zonës ku qëndronin kullat binjake në qytetin e Nju Jorkut para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Kritikët thonë se ky gjest ç’nderon kujtimin e viktimave dhe dhimbjen e familjeve të të vrarëve nga ekstremistët islamikë. Megjithatë, qyteti i Njun Jorkut ka qindra xhami që u shërbejnë mijëra myslimanëve që jetojnë atje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Fedysnky vizitoi xhami të vogëla dhe të mëdha në pesë lagjet që përbëjnë qytetin e Nju Jorkut.

Një anëtar i qendres islamike shqiptare në Staten Island reciton pjesë nga Kurani, të cilat i ka mësuar të gjitha përmendësh. Është një vakt lutjesh në orët e pasdites në këtë qendër ku rreth 2 mijë familje shqiptare mbushin xhaminë të premteve. Imam Tahir Kukaj shpjegon pse u ngrit kjo xhami:

“Numri i shqiptarëve dhe myslimanëve po shtohet; po shtoheshim atëherë dhe po shtohemi edhe tani. Faktikisht shqiptarët kishin një xhami në rrugën Van Dusen. Ishte një shtëpi e vogël dhe nuk plotësonte nevojat e komunitetit.”

Imam Kukaj thotë se anëtarët e xhamisë bashkëpunojnë me kishat lokale dhe sinagogat në aktivitete humanitare si dhurimi i gjakut dhe ushqimeve, kampet verore për fëmijë dhe vizitat tek të moshuarit.

Mes më shumë se 100 xhamive në Nju Jork është edhe Qendra Islamike në pjesën lindore të Manhatenit. Komunitetet e vogla përdorin shtëpi të konvertura në xhami, si për shembull xhamia egjiptiane në Staten Island. Imam Ali Abdushakur Muhammed thotë se ndërtimi i xhamive, sikurse i çdo godine tjetër, duhet të kordinohet me qeverinë lokale:

“Me vullnetin e Zotit, në të ardhmen, në qoftë se grupet shkojnë përmes kanaleve të duhura dhe mbledhin burimet e duhura financiare, ata mund të ndërtojnë më shumë xhami në bazë të ligjit amerikan.”

Xhamia në lagjen e Harlemit ofron një shkollë për komunitetin dhe shërbime të ndryshme sociale. Në të njëjtën kohë jep me qera zyra për biznese të vogla. Banorët lokalë thonë se ndjehen sikur xhamia ka qënë aty gjithmonë. Por faktikisht, ajo u konvertua nga një kazino në vitin 1965.

Jerrilunn Dodds, dekane në kolegjin Sarah Lawrence në Nju Jork dhe autore i një libri mbi xhamitë e Nju Jorkut, thotë se komuniteti islamik i Amerikës u zgjerua në fund të viteve 1960-të me heqjen e kuotave të imigracionit për vendet jo-evropiane. Ajo thotë se ndër xhamitë ekzistuese të qytetit, është edhe një pranë qendrës së propozuar islamike pranë zonës ku kanë qendruar dy kullat binjake. Ajo thotë se xhamia në fjalë nuk ka nxitur pasionet që ka ngjallur kjo qendër, që ende ndodhet në fazat planifikuese:

“Aftësia që një ndërtesë të shkaktojë emocione, aktualisht shtohet nga rendësia kulturore që i jepet ndërtesës. Prandaj në Nju Jork u kushtojmë shumë rëndësi ndërtesave. Apasionohemi ndaj tyre dhe i bëjmë ndërtesat simbole në atë shkallë që nuk ekziton në qytete apo shtete të tjera.”

Megjithëse pasionet rreth një qendre islamike, që ende nuk është ndërtuar, janë përplasur me emocionet për dy kullat ikona të humbura në sulmin e 11 shtatorit, dekanja Dodds thekson se elementi më i rëndësishëm në çdo ndërtesë nuk është struktura, por njerëzit që e përdorin atë.

XS
SM
MD
LG