Lidhje

Festivali i filmit për mjedisin në Uashington


Festivali i filmit për mjedisin në Uashington
Festivali i filmit për mjedisin në Uashington

Festivali i përvitshëm i Filmit për Mjedisin në Uashington është në edicionin e tij të 18. Këtë vit, në festival po shfaqen 155 filma nga e gjithë bota. Në bisedat me disa nga regjisorët, zbulohen motivet e tyre për të bërë filma të tillë që i shërbejnë ndërgjegjësimit të njerëzve për të mbrojtur mjedisin ku jetojnë.

Çdo pranverë, kryeqyteti amerikan mirëpret lulëzimin e qershive e bashkë me të edhe Festivalin e Filmit për Mjedisin. Flo Stone, drejtor dhe themelues i Festivalit i tha Zërit të Amerikës se ky aktivitet është jashtëzakonisht popullor.

"Është një festival ku sivjet bashkëpunojnë 110 sponsorizues. Ne shfaqim filma në 56 pika të ndryshme. Kurrë nuk kemi patur raste që kinematë të na refuzojnë".

Kinematë, muzeumet dhe universitetet i shfaqin me dëshirë filmat që flasin për mbrojtjen e mjedisit. Filmi i regjisorit Eskil Hardt "One Degree Matters," për shembull flet për efektin shkatërrues të ngrohjes globale.

"Modelet e fundit të ngrohjes globale parashikojnë se po të vazhdojmë kështu, temperatura në botë do të rritet 6 gradë deri në fund të shekullit. Në Arktik mund të arrijë deri në 12 gradë".

Hardt i tha Zërit të Amerikës se filmi i tij jep alarmin për ngrohjen globale por sjell edhe një mesazh pozitiv – se ne mund të ndalim çlirimin e gazeve me anë të energjive të ripërtëritëshme si e diellit dhe e erës.

"Ne tregojmë se teknologjia ekziston. Ne mund të fillojmë ta ndryshojmë botën qysh nesër nëse dëshirojmë".

Dokumentari amerikan "The Green House," tregon se si nismat private po e ndryshojnë botën, hap pas hapi. Dokumentari me regjisorë Jason Scadron dhe Liv Violette flet për ndërtimin e shtëpisë së parë vërtet të gjelbër në zonën McLean, që ndodhet shumë pranë Uashingtonit.

Arkitekti Mark Turner ndërtoi një shtëpi e cila është 75 përqind më efeiçente në energji se sa një shtëpi mesatare amerikane. Çatia e saj e gjelbër, dyshemeja termale dhe dritaret me xhama optikë, janë që të gjitha të tilla që kursejnë energji, thotë Scadron.

"Ne shpjegojmë në film se si është bërë kjo shtëpi. Se si ajo mund të shërbejë si shembull për shtëpitë në të ardhmen. Mbrojtja e medisit është me shumë përfitim".

Por kjo nuk ndodh në zonat qymyrgurore të Virxhinias Perëndimore. Dokumentari "Coal Country" flet për një teknikë të nxjerrjes së qymyrgurit e cila shkatërron mjedisin dhe çliron gaze të efektit serë në Malet Apalashe. Regjisorja Phyllis Geller e përshkruan kështu procesin që zbatohet në këto miniera.

"Kur ata bëjnë shpërthime në majat e kodrave, të gjitha mbetjet, si gurët apo coprat e drurëve rrëshqasin në shpatet e kodrës dhe bien në luginë ku ka përrenj".

Filmi "Coal Country," hedh dritë gjithashtu mbi tensionet mes njerëzve në Apalashe që punojnë në industrinë e qymyrgurit dhe atyre që banojnë pranë qendrave minerare, të cilët ndjejnë se jeta e tyre kërcënohet nga çlirimi i gazit karbonik.

Në dokumentar thuhet se me qymyrguri prodhohet rreth gjysma e energjisë elektrike në Shtetet e Bashkuara, pra nuk do të jetë e lehtë të zëvendësohet. Megjithatë, thuhet në shumë nga filmat, përparimi në fushën e mjedisit po duket në horizont. Ndryshimi varet nga ne, thonë regjisorët, në të kundërtën jemi të destinuar të zhdukemi.

XS
SM
MD
LG