Lidhje

Autoritetet gjermane parashikojnë rritje të ekonomisë së vendit


Banka Qendrore e Gjermanisë tha se ekonomia e vendit mund të rritet me 3 për qind këtë vit, megjithë shenjat e ngadalësimit të tregtisë botërore. Bundes-bank e publikoi sot raportin, ku thuhet se pritet që ekonomia më e madhe e Evropës të përfitojë nga shtimi i investimeve nga kompanitë gjermane dhe shtimi i kërkesës nga konsumatorët gjermanë.

Javën e kaluar, zyrtarët gjermanë thanë se ekonomia e vendit u rrit me 2,2 për qind në periudhën prill-qershor, me ritmin më të shpejtë që nga periudha e ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1991. Banka Qendrore më parë kishte parashikuar se ekonomia gjermane do të rritej me 1,9 për qind këtë vit.

Vitin e kaluar ekonomia gjermane u tkurr me 4,7 për qind. Po sot, Britania njoftoi se sektori i shitblerjeve u rrit në muajin korrik 1 për qind më tepër se muajin e kaluar. Një raport tjetër tregon se borxhi mujor i Britanisë ishte 5 miliardë dollarë në korrik, një rënie krahasuar me muajt e mëparshëm, pas shtimit të të ardhurave nga taksat.

XS
SM
MD
LG