Lidhje

Minutat e Hollivudit


Minutat e Hollivudit
Minutat e Hollivudit

Dy komedi të reja do të prezantohen këtë muaj në kinematë amerikane. Të dyja realizimet premtojnë një këndvështrim të ri mbi tema të trajtuara më parë nga kinematografia. Komedia romaktike No Strings Attached përpiqet të sjellë këndvështrimin femëror në marrëdhëniet fizike pa ngarkesë emocionale, ndërsa komedia me aksion The Green Hornet ka në qendër të subjektit një personazh që i përgjet më tepër një njeriu të thjeshtë se sa një superheroi. Dhe kur është fjala për filma me aksion, asnjë nuk krahasohet me serialin e Agjentit 007. Në minutat e Hollivudit mësojmë se kur do të hapet në kinema premiera e filmit të ardhshëm të serialit.

Entuziastët e filmave me armën vdekjeprurëse të Mbretëreshës së Anglisë, Agjentin 007, kanë marrë njoftimin e shumëpritur se Daniel Craig do të kthehet në ekranin e gjerë në rolin e Xhejms Bondit. Filmi i ri ka qenë në plane prej vitesh, por studioja MGM kishte pezulluar realizimin për shkak të problemeve financiare. Këto filma me temë spiunazhi janë ndër realizimet më ekstravagante të kinematografisë dhe shpalosin një seri objekesh luksi që nga markat më luksoze të makinave, tek pijet e shtrenjta, por mbi të gjitha sekuenca marramendëse përleshjesh fizike, ndjekjesh me makina, anije apo helikopterë e avionë. Ende nuk ka hollësi mbi subjektin e filmit të ri, përveç faktit se Daniel Craig kthehet në rolin e Xhejms Bondit për të tretën herë. Filmi del në kinema më 9 nëntor 2012.

2010 ka qenë një vit i ngarkuar për aktoren Natalie Portman si në karrierë edhe në jetën personale. Pas rolit protagonist në dramën “The Black Swan” të vlerësuar lart nga kritika dhe të mirëpritur nga shikuesit, aktorja paraqitet tani në një realizim të ri të zhanrës së komedisë romantike me titull “No Strings Attached”.

Duke marrë shkas nga subjekti i filmit që diskuton mundësinë që dy shokë të mirë të arrijnë të kenë edhe një marrëdhënie intime pa lidhje emocionale mes tyre, aktorja që sapo ka njoftuar fejesën, thotë se në botën e sotme marrëdhënie të tilla janë shpesh zgjidhja më optimale:

"Në ditët tona mendoj se është gjithnjë e më e lehtë që njerëzit ta veçojnë anën fizike nga ana emocionale e marrëdhënieve seksuale, pasi sot mund të ndërtosh një marrëdhënie të plotë vetëm duke shkëmbyer SMS”.

Prandaj, thotë aktorja, marrëdhënie të tilla ofrojnë mundësinë për të shmangur ballafaqime të pakëndshme. Pikërisht këtë temë trajton edhe filmi – nevojën për të eliminuar problemet e një marrëdhënieje me ngarkesë emocionale.

Aktorja ishte e pranishme në premierën e filmit më 11 janar. Natali, e cila që ka njoftuar se është shtatzënë me balerinin Benjamin Millepied, që interpretoi me të në filmin Black Swan, thotë se nuk ka në plan të bëjë asnjë përgatitje për beben, para lindjes:

"Jam shumë supersticioze. E kam nga feja hebraike. Ne nuk bëjmë përgatitje të tilla”.

Aktori Ashton Kutcher, i cili luan në film mikun e ngushtë të Emës, personazhi i luajtur nga aktorja Natali Portman, thotë se ky film është origjinal pasi e trajton këtë temë nga këndvështrimi femëror:

"E bukura e këtij filmi është se ndryshon nga filma si realizimet e Judd Apatow, të cilat i analizojmë marrëdhënien e çiftit nga pikëpamja e mashkullit. Fakti është se ana fizike e marrëdhënies është po aq e rëndësishme edhe për femrat. Ky film është krejt i sinqertë në trajtimin e kësaj teme".

Filmi prezantohet në kinematë amerikane me 21 janar.

Publiku amerikan u prezantua fillimisht me aktorin austriak Christoph Waltz, në filmin e regjisorit Quentin Tarantino, Inglorious Basterds. Ai sapo ka përfunduar tani komendinë me aksion The Green Hornet. Aktori thotë se portretizimi i personazhit negativ Chudnofsky, ndryshe nga filmat tradicionalë me aksion, nuk kërkonte ndonjë përgatitje të veçantë fizike, përkundrazi:

"Në rastin kur personazhi qendror i filmit nuk përputhet me imazhin klasik të super-heroit, edhe antagonisti nuk duhet të përputhet me këtë imazh në formën klasike. Pra nëse personazhi kryesor ka vështirësi, dilemma, probleme të caktuara, edhe antagonisti duhet të ketë probleme të tilla”.

Aktori shpreh mirënjohjen e tij për aktorin Seth Rogen, që ishte njëkohësisht edhe skenarist dhe producent i filmit, për këtë mundësi. Por përveç respektit profesional, Christopf Waltz tregon se pati mundësi ta njohë dhe ta vlerësojë aktorin edhe në planin personal:

"Ai është një individ tepër i sjellshëm dhe i kujdesshëm. Këto janë veçori që i vlerësoj shumë, pasi mundohem edhe vetë të sillem në atë mënyrë. Seth është edhe shumë i mprehtë. Është një kombinim i rrallë për mua. Edhe sensi i tij i humorit, mendoj unë, është rezultat i këtyre vetive”.

Aktori Waltz po punon ndërkaq në dy filma të tjerë “3 Mosketjerët” dhe “Ujë për Elefantët”.

XS
SM
MD
LG