Lidhje

Izraeli zbulon dokumentin më të vjetër në Jeruzalem


Arkeologët izraelitë në Jeruzalem thonë se kanë zbuluar një fragment të një prej dokumenteve të shkruara më të vjetra të gjetura në këtë qytet. Ky fragment është 600 vjet më i vjetër se çdo dokument i gjetur më parë në Jeruzalem.

Fragmenti prej argjili nuk është më i madh sesa një kokërr ulliri me permasa 1.27 me 1.27 centimetra. Por mosha e kesaj copëze e bën atë tepër të rendësishëm. Është thuajse 3400 vjeçare. Fragmenti u zbulua kohët e fundit gjatë gërmimeve poshtë një kulle të shekullit të 10 Para Erës Sonë që daton me kohën e mbretit Solomon të Izraelit. Eliat Mazar e Universitetit Hebraik në Jeruzalem drejtoi germimet që zbuluan fragmentin. Ajo thotë se kjo gjetje hedh dritë mbi rendësinë e Jeruzalemit shumë kohë para mbretit Solomon.

"Tregon aftësi të larta të një shkruesi, i cili mesa duket qendronte në oborrin e mbretit të Jeruzalemit në atë kohë. Meqenëse është shkruar në Jeruzalem - sepse është shkruar në argjilën e Jeruzalemit – atëhere mund të kuptojmë se pallati mbretëror ka qenë këtu në Jeruzalem, pra Jeruzalemi ka qënë një kryeqytet i rendësishim, një qytet mbretëror".

Teksti është shkruar në në formë gdhendjeje në gjuhën e lashtë Akkadian. Dokumente të tilla janë formuar duke shtypur majën e kallamit mbi argjilën e njomë e cila më pas është forcuar nën rrezet e diellit. Stili i shkrimit besohet të ketë filluar në Mesopotaminë e lashtë pranë brigjeve të Eufratit dhe daton deri në mijëvjeçarin e katër para erës sonë.

Tabela të tilla përdoreshin shpesh si letra zyrtare gjatë lashtësisë në Lindjen e Afërme. Profesori Wayne Horowitz i Universitetit Hebraik thotë se fragmenti është pjesë e një korrospondence ndërmjet pallatit mbretëror në Jeruzalem dhe një tjetri në Egjipt. Ai thotë se përmbajtja e dokumentit nuk është aq e rëndësishme sa ajo që përfaqëson ai.

"Është hera e parë që kemi një tekst të tillë nga Jeruzalemi dhe ajo që e bën më të veçantë është vjetërsia, sepse ky është dokumenti më i vjetër që zbulohet në nëntokën e Jeruzalemit. Qindra vite më e vjetër sesa materialet e tjera dhe gjithashtu demostron se sa i rendësishëm ka qënë Jeruzalemi nga fundi i epokës së argjendit".

Eliat Mazar thotë se objekti, megjithëse i vogël, është ndoshta pjesë e një arkive më të mardhe. Kjo do të thotë se mund të zbulohen fragmente të tjera të ngjashme.

"Besojmë se në Jeruzalem, siç edhe po del në pah, ka egzistuar një arkivë, dhe mund të gjenden edhe shumë copëza të tjera si kjo. Kjo është e para por shumë të tjera mund të zbulohen në germime të mëtejshme në pjesën e lashtë të Jeruzalemit. Bregu kodrinor i lashtë i Jeruzalemit mund të na japë fragmente të tjera si dhe një arkivë".

Tabela e vogël përmban vetëm pesë rreshta në njerën anë dhe katër në tjetrën por është 600 vjet më e vjetër sesa gjetjet më të lashta nga germimet e mëparshme në Jeruzalem. Dokumenti i gjetur flet për përfundimin e një ujësjellësi në atë që njihet si Qyteti i Davidit.

XS
SM
MD
LG