Lidhje

Ekspertët dhe dëshmitarët kujtojnë rolin e Ratko Mlladiçit në luftën e Bosnjës


Ekspertët dhe dëshmitarët kujtojnë rolin e Ratko Mlladiçit në luftën e Bosnjës
Ekspertët dhe dëshmitarët kujtojnë rolin e Ratko Mlladiçit në luftën e Bosnjës

Ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç, ndodhet në paraburgim pas shumë viteve në arrati, gjatë të cilave iu shmang ndalimit nën akuza për krime lufte. Kjo kronikë nga Uashingtoni na njofton rreth së kaluarës së Mlladiçit, ndaj të cilit gjykata e OKB-së për krime lufte ka ngritur akuza për gjenocid dhe krime lufte në Bosnjë gjatë viteve 1992-95.

Si komandant i forcave serbe të Bosnjës, gjatë luftës trivjeçare në vitet 1990, Ratko Mlladiç ishte përgjegjës për atë që konsiderohet të jetë mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – masakra e mijëra civilëve myslimanë në Srebrenicë, atëherë enklavë nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

Ai ishte gjithashtu përgjegjës për bombardimin për 43 muaj me radhë (1992-96) të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë, gjatë rrethimit më të gjatë në historinë e luftës moderne. Nga dita më ditë, qytetarët e Sarajevës ishin objektivat e forcave serbe të Bosnjës nën komandën e gjeneralit Mlladiç. Lajmet e transmetuara në mbarë botën tregonin për shkatërrimet që përjetonte popullsia vendase.

Ratko Mlladiç lindi në Bosnjë më 12 mars 1942 në fshatin Kallinovik.

Ai u rrit në Jugosllavinë e Titos dhe u shkollua në akademinë ushtarake të Armatës Popullore Jugosllave në Beograd. Ai mori gradën kolonel.

Daniel Server nga Instituti Amerikan i Paqes thotë se Mlladiçi zvetënonte titullin ushtarak.

“... më vjen shumë vështirë të përmend ndonjë titull ushtarak para emrit të tij, meqë sjellja e tij ishte jo vetëm joprofesionale, por absolutisht [sjellje] vrasësi”.

Ndërkohë që Jugosllavia filloi të shpërbëhej në vitin 1991, Mlladiç u dislokua në qytetin e Kninit, ku kishte shpërthyer një kryengritje e serbëve të Kroacisë kundër shpalljes së pavarësisë së atij vendi.

Një vit më vonë, Mlladiçi u gradua gjeneral-kolonel dhe mori komandën e përgjithshme të forcave ushtarake të serbëve të Bosnjës, të cilat filluan të luftojnë për një shtet të pavarur serb pasi Bosnjë-Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.

Analistët thonë se gjenerali Mlladiç do të kujtohet më së shumti për sulmin më 1995 të serbëve të Bosnjës në enklavën boshnjake të Srebrenicës.

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Eduard Xhozef, thotë se forcat serbe të Bosnjës fillimisht e rrethuan Srebrenicën, në Bosnjën lindore, ku dhjetëra e mijëra civilë ishin strehuar për t’iu shmangur mësymjeve serbe në pjesë të tjera të vendit.

“Në Srebrenicë, në korrik 1995, ata ranë në duart e forcave serbe, përkundër faktit se ata ndodheshin në një zonë të sigurt nën mbikëqyrjen e OKB-së – aty kishte trupa holandeze dhe ekzistonte mundësia për të urdhëruar sulme ajrore nga NATO. Megjithatë, pati vetëm disa sulme simbolike nga ajri dhe trupat holandeze nuk mbrojtën në mënyrë të efektshme zonën e sigurt ose qytetarët. Shumica e grave dhe fëmijëve u dëbuan që andej, ndërsa burrat, duke përfshirë edhe disa djem, u mblodhën dhe u vranë gjatë një periudhe prej disa ditësh. Sipas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ka pasur të paktën, të paktën 7 mijë të zhdukur – dhe ky është numri minimal i viktimave të kasaphanës në Srebrenicë”.

Gazetari Dushko Doder, i cili ndodhej jashtë Srebrenicës në atë kohë, kujton rastin kur dëgjoi për herë të parë rreth masakrës nga një grua e moshuar, e cila kishte ardhur nga qyteti.

“Unë isha duke ngarë makinën dhe ajo na tregonte se po vrisnin me mijëra njerëz dhe se po i grumbullonin në stadium. Unë nuk mund ta besoja. Kujtoja se plaka po ekzagjeronte ngapak. Në njoftimet e para që i kam shkruar, kam përmendur vetëm qindra, sepse thjesht nuk mund të besoja se diçka e tillë mund të ndodhte”.

Në vitin 1995, Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, ngriti padi ndaj gjeneralit Mlladiç dhe udhëheqësit të serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiç, me akuza për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Gjatë luftës trivjeçare në Bosnjë (1992-1995), rreth 100 mijë njerëz u vranë dhe më shumë se një milion mbetën të pastrehë.

Pas përfundimit të luftës, gjenerali Mlladiç u kthye në Beograd, ku disa ekspertë besojnë se e përkrahte dhe mbronte Presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç. Por, pasi u arrestua Millosheviçi dhe u transferua në gjykatën e Hagës, Mlladiçi kaloi në arrati.

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Eduard Xhozef, thotë se gjenerali Mlladiç duhet të ketë pasur mbështetje në mesin e shërbimeve ushtarake dhe të zbulimit në Serbi për t’iu shmangur ndalimit për kaq shumë vite.

“Është e qartë, nuk mund të qëndrosh i lirë, nëse je aq i njohur, pa ndonjë ndihmë. Dhe së dyti, duhet të nxjerrim në pah, se sidomos si komandant ushtarak, gjenerali Mlladiç ka një gamë të aleatëve dhe një mbështetje shumë, shumë të fortë e të gjerë tek popullsia, shumë më të gjerë dhe më të thellë se ç’kishte Radovan Karaxhiçi”.

Ekspertët si Çarls Kupçan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë thonë se kapja e të kërkuarve për krime lufte është hapi i parë në procesin e pajtimit dhe shërimit të plagëve mes grupeve të ndryshme etnike në rajon.

“Nëse flasim për një periudhë më afatgjate dhe ngjarjet me rëndësi për shërimin e plagëve të komuniteteve, këto ndalime, këto gjykime, këto ndjekje ligjore do të luajë një rol të rëndësishëm edhe në nivel personal, sepse ekziston një ndjenjë se drejtësia po vihet në vend, ekziston një ndjenjë se atyre që janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit po u kërkohet llogari”.

Zoti Kupçan dhe të tjerë thonë se me gjeneralin Mlladiç në burg, pas arrestimit të Karaxhiçit, është larguar një pengesë e madhe në përpjekjen e Serbisë për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG