Zyrtarët afganë thonë se një goditje ajrore e NATO-s që kishte në shënjestër militantë, ka vrarë një çift dhe katër fëmijët e tyre në krahinën Nangahar.
Autoritetet thonë se goditja e djeshme kishte si objektiv tre kryengritës që kishin vënë mina në rrugë. Një zëdhënës i guvernatorit të krahinës thotë se një raketë nga sulmi goditi gabimisht një shtëpi, duke vrarë familjen. NATO-ja thotë se po “heton incidentin tragjik”.
Sulmi ndodhi pasi Presidenti afgan Hamid Karzai akuzoi trupat e NATO-s për vrasjen e 50 civilëve gjatë operacioneve kundër kryengritësve në krahinën Kunar aty pranë. NATO-ja tha se ka dërguar një ekip për të kryer hetime.