Socialistët mund të tentojnë një provë force në parlament me shumicën duke kërkuar një mocion mosbesimi ndaj kryetares së parlamentit Jozefina Topalli por edhe ndaj kryeministrit Sali Berisha. “Të mendojmë e vendosim për të kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, lidhur me këtë dështim të madh në rrugën e integrimit, dhe le të shikojmë mundësinë e nismës së mosbesimit të kryetares si një pengesë e identifikuar deri nga vetë Komisioni Europian për arritjen e standardeve europiane në jetën parlamentare të vendit. Një nisëm mosbesimi, pikërisht për këtë dështim të pashoq, meriton edhe kreu i kësaj qeverie të dalë nga votat e vjedhura që po vjedh të ardhmen e këtij vendi për të mbajtur pushtetin e oborrit e pasuruar oborrin e pushtetit”, deklaroi kryetari socialist Edi Rama ne mbledhjen e Asamblesë kombëtare.
Ndërsa mocioni ndaj zonjës Topalli është më lehtë i realizueshëm, ai ndaj kryeministrit, për shkak të ndryshimeve kushtetuese të aprovuara me konsensusin e palëve, është më i ndërlikuar, pasi opozita duhet të paraqitet me kandidaturën e një kryeministri për të kërkuar mosbesimin e zotit Berisha. Por zoti Rama tha se ai mund të jetë një akt i dobishëm, pavarësisht se mund të mos sjell rrëzimin e qeverisë ndaj së cilës ai përsëriti sërish ofertën për zgjidhjen e ngërcit politik lidhur me hetimin e zgjedhjeve të kaluara: “Ofertën tonë të re qeveria e ka në tavolinë. Është një shqipërim i drejtpërdrejtë i Rezolutës së Parlamentit Europian. Është një ofertë e re që ka marrë deri sot një përgjigje të vjetër. Asnjë fjalë nuk ka në tekstin e asaj oferte për fletët e votimit, sepse, shqip fare, nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim. Për t’i dhënë fund kushtëzimit të marrëdhënies me parlamentin na mjaftojnë kutitë e materialeve zgjedhore në dispozicion të komisionit hetimor dhe pastaj të gjitha informacionet e nevojshme shtetërore që lidhen me përmbajtjen e çdo kutie që duam të hetojmë”.
Por kryeministri Berisha ka deklaruar se në një rast të tillë fletët e votimit do të digjen e për pasojë edhe mundësia që për to të kërkohet një interpretim nga gjykata kushtetuese apo komisioni i Venecias
Gjatë mbledhjes së sotme zoti Rama deklaroi se opozita do të vazhdojë të denoncojë aferat e korrupsionit. Fushata e socialistëve u pasua me kundërakuza të cilat vunë në qendër zotin Rama në funskionin e tij si kryetar Bashkie lidhur me lejet e ndërtimit: “Makina e baltës ka mbiprodhuar shpifjen e lejeve të ndërtimit që betonizuan Tiranën nën qeverisjen tonë. Po a e dini të dashurit e mi sesa përqind e territorit të këtij qyteti është ndërtuar me lejet e këtyre dhjetë vjetëve – në fakt nëntë vjet sepse vitin e fundit s’është dhënë asnjë leje? Vetëm 1%! 35 kateshat te zona e Liqenit pwr tw marrw unw 20 pwrqindwshin nepermjet Tan Lepurit, nuk e kam votuar ndërrimin e destinacionit të asaj zone, siç nuk kam votuar asnjë leje ndërtimi në Tiranë në vitet 2005-2007, ku çdo leje është dhënë me shumicën vendimmarrëse të Saliut në KRRT.
Sipas zotit Rama, Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë dhe se “shpresa e vetme për shqiptarët - tha ai - është partia socialiste dhe opozita e bashkuar”. Për këtë arsye ai bëri thirrje që opozitës t’i bashkohen edhe forca të tjerë si LZHK e që në gjirin e partisë socialiste të përfshihen edhe ata që sic tha zoti Rama u larguan për t’iu bashkuar vite më parë zotit Meta. Kryetari sïcialist kërkoi që edhe brenda partisë së tij të lihen mënjanë ndarjet e të gjithë të bashkohen në emwr të interesit të shqiptarïve u shpreh zoti Rama: “Një apel për t’u bashkuar më shumë e më fort se kurrë, jo në emër të shuarjes së dallimeve tona si njerëz të ndryshëm, me mendime e qasje shpeshherë të ndryshme ndaj gjërave dhe ndaj vetë njëri-tjetrit, po në radhë të parë në emër të atyre qindra mijërave që e shohin e dëgjojnë ç’bëjmë e ç’themi ne përditë me bindjen se jemi për ta e vetmja shpresë”.
Socialistët vendosën që t’i kërkojnë dhe një herë kryeministrit Berisha të rishikojë ofertën e tyre duke deklaruar se në rast të kundërt protestat do të shtrihen në të gjithë vendin për të kërkuar largimin e tij.