Lidhje

Ushtria pakistaneze deklaron fitore të rëndësishme kundër terroristëve


Ushtria pakistaneze deklaron fitore të rëndësishme kundër terroristëve
Ushtria pakistaneze deklaron fitore të rëndësishme kundër terroristëve

Komandanti i ushtrisë pakistaneze thotë se forcat e tij kanë realizuar një fitore dërrmuese kundër kryengritësve dhe shprehet optimist se së shpejti do të arrihet triumfi në luftën kundër terrorizmit. Ai i bëri komentet dje, ndërkohë që marrëdhëniet SHBA-Pakistan kanë përjetuar tensione në shkallëzim, pas mospajtimeve mbi metodat më të mira në luftën kundër terrorizmit dhe zhvillimin e operacioneve në Afganistan.

Në fjalën që mbajti në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Akademisë Ushtarake Pakistaneze, Gjenerali Ashfaq Kajani tha se beson se kryengritësit dhe ekstremistët në Pakistan, që kanë lidhje me talebanët dhe al-Kaidën, do të munden së shpejti.

"Në luftën kundër terrorizmit, officerët dhe ushtarët tanë kanë bërë sakrifica të mëdha dhe kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm. U kemi thyer kurrizin terroristëve dhe, me ndihmë të Zotit, do të dalim fitimtarë së shpejti”.

Fjalimi i Shefit të Ushtrisë Pakistaneze u mbajt në një kohë që vazhdojnë fërkimet mes udhëheqjes pakistaneze dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me mënyrën si duhet të zhvillohen përpjekjet e luftës.

Gjatë javëve të fundit, ecejaket diplomatike të secilës palët në kryeqytetin e palës tjetër, nuk kanë dhënë shumë rezultat për të qetësuar situatën.

Në fillim të javës, Shefi i Shtatmadhorisë, Admirali Majk Mëllen shkoi në Islamabad për tekime të nivelit të lartë me zyrtarët pakistanezë, përfshirë Gjeneralin Kajani.

Gjatë qëndrimit atje, ai dha një intervistë për një televizion lokal, ku tha se Shtetet e Bashkuara kishin të dhëna nga shërbimet e zbulimit se disa anëtarë të ushtrisë pakistaneze, si dhe agjencia e zbulimit në Pakistan, ISI, kishin kontakte me grupe ekstremiste si Rrjeti Hakani, një organizatë që ka lidhje të forta me talebanët dhe al-Kaidën:

"Agjencia ISI ka pasur prej kohësh marrëdhënie me rrjetin Hakani. Kjo nuk nënkupton që kushdo në këtë agjenci ka lidhje, por lidhje të tilla ekzistojnë. Me sa kuptoj unë, ISI dhe Ushtria Pakistaneze ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët e tyre. Kjo lidhje ka ekzistuar në një lloj mënyre prej kohësh dhe tani duhet që gradualisht ky realitet të ndryshojë”.

Kjo deklaratë ka acaruar më tej administratën pakistaneze. Shumë veta e hodhën poshtë deklaratën si “propagandë negative amerikane”.

Lidhjet mes dy vendeve janë acaruar prej disa muajsh pas goditjes për vdekje të dy pakistanezëve nga një shtetas amerikan Rejmond Dejvis, i punësuar me kontratë nga CIA.

Pala amerikane shprehet e irrituar nga ajo që e konsideron si përpjekje e pamjaftueshme e pakistanezëve për të vënë nën kontroll ekstremistët dhe për të ndalur trafikun ndërkufitar të ekstremistëve nga Afganistani. Shumë grupe që luftojnë kundër Shteteve të Bashkuara dhe forcave të NATO-s gjejnë baza të sigurta në zonat e largëta në brezin kufitar mes dy vendeve.

Shpesh amerikanët përdorin avionë të telekomanduar për të goditur këto baza të sigurta. Shumë pakistanezë shprehen tepër të revoltuar nga sulme të tilla, pasi i konsiderojnë si ndërhyrje në sovranitetin e tyre.

Pak pas visitës së Admiralit Mëllen këtë javë, një avion pa pilot goditi një objekt ku po zhvillohej një grumbullim në Vaziristanin verior dhe la të vrarë 26 vetë. Përveç militantëve të vrarë pati njoftime se mes viktimave kishte edhe gra dhe fëmijë.

Disa akivistë politikë në Pakistan thonë se do të fillojnë të bllokojnë linja të rëndësishme që dërgojnë furnizime për forcat e NATO-s në Afganistan, nëse nuk ndalin sulmet e avionë të telekomanduar.

XS
SM
MD
LG