Lidhje

Policia arreston 60 protestues gjatë demonstratave më të fundit në Rusi


Numri i gazetarëve ishte ishte po aq sa i protestuesve dhe forcat e rendit ishin sa dyfishi i tyre. Megjithatë kjo nuk e pengoi policinë që gjatë fundjavës së kaluar të arrestonte afro 60 protestues në prani të kamerave dhe reporterëve. Grupe të opozitës që kërkojnë lirinë e tubimit mbajtën më 31 korrik demonstrata të koordinuara në 10 qytete anembanë Rusisë. Që prej një viti, protestuesit janë mbledhur në ditën e fundit të secilit muaj që ka 31 ditë, duke tërhequr vëmendje ndaj nenit 31 të kushtetutës ruse, i cili shpall të drejtën e tubimit publik.

Për të zvogëluar artificialisht pjesëmarrjen, zyrtarët e bashkisë në Moskë dhe Sankt-Peterburg vazhdmisht nuk japin leje për tubime dhe ndërkohë lejojnë zhvillimin e ngjarjeve tjera në po ato sheshe, të cilat i zgjedhin demonstruesit. Ditët e funit, bashkia organizoi një shfaqje me makina sportive dhe motoçikleta në vendin ku ishte planifikuar demonstrata.

Veç zhurmës së makinave, bashkia dërgoi në vendngjarje qindra pjesëtarë të forcave të rendit, duke u dërguar mesazh të qartë kalimtarëve se sa do t’u kushtonte atyre pjesëmarrja në një tubim të pamiratuar. Më pas, gazetarët patën rastin të shohin spektaklin e forcave të rendit, të cilat po rrethonin turmat dhe po fusnin dhjetëra protestues nëpër autobusë policorë – vetëm një kilometër e gjysëm larg nga Kremlini.

Ish-zëvendës kryeministri Boris Nemcov beson se qeveria ka më shumë frikë nga zjarri që mund të ndezë populli rus sesa nga zjarri që ka kapluar pyjet e vendit të prekur nga thatësirat.

Akoma i indinjuar për arrestimin e tij në protestën e së shtunës, ai foli të hënën për Zërin e Amerikës: “Qeveria ka frikë nga gjithçka. Ata kanë frikë nga opozita. Në vend se t’i shuajnë zjarret, ata dërgojnë forca të rendit nëpër sheshe”.

22 vjet më parë, udhëheqësit e Rusisë, kryeministri Vladimir Putin dhe presidenti Dmitri Medvedev, ishin të rinj kur protestat në rrugë dolën nga kontrolli dhe bota e tyre u shpërbë. Në Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, qeveritë komuniste, që mendohej se ishin të pathyeshme, ranë brenda natës.

Më pastaj, rreth pesë vjet më parë, demonstratat në rrugë u kthyen në revolucione, duke rrëzuar qeveritë pro-Kremlinit në tri ish-republika sovjetike – Ukrainë, Gjeorgji dhe Kirgistan. Një analist i politikave vendore nga Qendra “Carnegie” në Moskë, Nikolai Petrov, beson se Kremlini druan se një vrimë e vogël në digën e regjimit autoritarian mund të çojë në katastrofë.

Paraprakisht, ekonomia e Rusisë pati rritje negative vitin e kaluar, duke u tkurrur për tetë përqind. Sipas shkallës së tanishme të rigjallërimit, pritet që në vitin 2012, Rusia të mbërrijë nivelin ekonomik që kishte më 2008.

“Ka gjithnjë e më shumë potencial për trazira shoqërore dhe kriza po vazhdon. Po bëhet më e ndërlikuar për autoritetet që të ruajnë imazhin se janë duke u kujdesur për gjithçka”.

Duke parë kalendarin zgjedhor, sundimtarët e Rusisë e dinë se së shpejti do të duhet t’u kthehen votuesve për të vazhduar qëndrimin e tyre në pushtet. Zgjedhjet parlamentare janë të parapara për muajin dhjetor 2011, ndërsa zgjedhjet presidenciale për në marsin e vitit 2012. Udhëheqës opozitarë, kryesisht të margjinalizuar politikisht, ankohen se mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve në Rusi favorizon së tepërmi partinë në pushtet Rusia e Bashkuar.

Javën e kaluar, Presidenti Medvedev nënshkroi një ligj me tekst të paqartë, që lejon arrestime parandaluese të njerëzve, për të cilët policia beson se do të kryejnë krime. Projektligje të tjera, që janë duke u shqyrtuar nga organi ligjvënës i Rusisë, Duma, do t’i jepnin qeverisë më shumë pushtet mbi internetin dhe do të ndalonin organizimin e protestave politike nga njerëz që janë dënuar në të kaluar – qoftë edhe për kundërvajtje të lehta si në trafik.

Një anketë e re e Qendrës Levada, grup i pavarur, tregon se vetëm një çerek i rusëve kanë dëgjuar për tubimet për Nenin 31. Hulumtuesja nga Akademia Ruse e Shkencave, Olga Krishtanovskaja, studion elitat politike të Rusisë. Ajo citoi dy arsye për pjesëmarrjen e vogël në demonstratat e opozitës. E para, kryeministri Putin dhe presidenti Medvedev janë “goxha popullorë”. E dyta, thotë ajo, ekziston faktori i frikës – ‘frika nga pasojat, nga rrahja’.

Ndërsa strategjia e shpërblimit dhe ndëshkimit po funksionon mirë, analistët politikë parashohin se 31 gushti do të jetë përsëritje e 31 korrikut. Gazetarët dhe forcat e rendit do të jenë më të shumtë se protestuesit. Forcat e rendit do të ndërhyjnë dhe do ta shpërndajnë protestën, duke shkelur mbi parullat që bëjnë thirrje për liri të tubimit.

XS
SM
MD
LG