Lidhje

Sarajeva 15 vjet pas Dejtonit


Sarajeva 15 vjet pas Dejtonit
Sarajeva 15 vjet pas Dejtonit

Kanë kaluar 15 vjet që kur i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Richard Holbrooke, ndërmjetësoi Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, që i dha fund luftës katërvjeçare në Bosnjë. Marrëveshja kujtohet akoma si arritje e madhe që i dha fund një konflikti të egër etnik. Por sot në kryeqytetin boshnjak Sarajevë, shumë njerëz thonë se është koha për të lënë prapa luftën dhe për të ecur përpara.

Sarajeva është tani kryeqytet plot energji. Vetëm shenjat e predhave dhe plumbave në disa ndërtesa të rikujtojnë të kaluarën jo shumë të largët.

Qyteti u mbajt nën rrethim për 43 muaj në vitet 1990. Popullsia përjetoi tmerrin e predhave dhe zjarrit të snajperëve që shtinin nga kodrat përreth. Rreth 12 mijë njerëz mendohet të kenë humbur jetën.

Dalja e vetme nga qyteti ishte ky tunel nën aeroport, prej nga vinin furnizimet dhe nxirreshin njerëzit. Shtëpia e dëmtuar nga lufta ku kishte daljen tuneli është shndërruar tani në muze. Edish Kollar, ish-ushtar i cili është pronar i shtëpisë, thotë se populli i Sarajevës dëshiron të ecë përpara.

“Kur njerëzit vijnë të shohin tunelin, e shoh që përpiqen të ecin përpara; ata përpiqen ta lenë luftën në histori dhe nëpër muze. Problemi është se politikanët nuk po na lënë ta harrojmë.”

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, u nënshkrua 15 vjet më parë, duke bashkuar udhëheqësit serbë, boshnjakë dhe kroatë.

Politikanët e Bosnjes pajtohen se marrëveshja arriti të sillte paqe dhe stabilitet në Ballkan. Por shumë analistë thonë se politikanët duken të përçarë.

Ish-presidenti boshnjak Haris Silajxhiç ishte pjesë e delegacionit në Dejton në shtetit e Ohajos. Ai thotë se duke u dhënë serbëve të Bosnjës rajonin e tyre autonom të njohur si Republika Serbe, spastrimi etnik në Bosnje po bëhet i përhershëm.

“Ajo që po shohim tani është përpjekje për të bërë të ligjshme atë që ndodhi këtu, për të vënë vulën ndërkombëtare mbi të sikur të ishte në rregull. Projekti i Millosheviqit është duke u realizuar ndërsa ne po flasim.”

Ish-politikani kroat i Bosnjes, Kreshimir Zubak, ishte gjithashtu në Dejton. Ai pajtohet se çështja e ndarjeve etnike duhet të zgjidhet.

“Qëllimet që palët e ndryshme kishin më 1992 – pasi nuk i arritën me forcë – po përpiqen tani t’i arrijnë përmes rrugëve politike.”

Sllavko Joviçiç është deputet serb i Bosnjës. Ai thotë se populli i tij nuk do të heqë dorë nga Republika Serbe për të formuar një shtet të centralizuar.

“Një gjë nuk mund të ndodhë kurrë në Bosnjë-Hercegovinë dhe ajo është mbizotërimi i një grupi mbi të tjerët. Ne themi se pa Republikën Serbe nuk do të ketë Bosnjë-Hercegovinë.”

Ndarje të tilla pasqyrohen në sistemin arsimor të Bosnjës, ku grupet e ndryshme etnike zhvillojnë mësimin në klasë të ndara dhe me programe të veçanta mësimore.

Por në qytetin e Mostarit, skenë e disa prej luftimeve të ashpra, Kolegji “United World” i mëson myslimanët boshnjakë, serbët dhe kroatët së bashku. Nxënësit janë optimistë për të ardhmen e vendit të tyre.

“Mendoj se gjendja do të ndryshojë, ndoshta me brezin e ardhshëm.”

“Ne jemi brezi i ri që përfundimisht duhet të punojë për një të ardhme më të ndritur.”

“Kjo është një ecuri dhe do të kërkojë kohë.”

Mostari është i njohur për urën e periudhës osmane, që u ngrit mbi lumin e qytetit për 400 vjet – derisa u shemb nga artileria gjatë luftës.

Shembja e urës simbolizoi shkatërrimin që sillte lufta. Restaurimi i urës më 2004 tregoi se shumë prej plagëve fizike të luftës po shëroheshin. Por shumë syresh që janë politike dhe mendore mbeten.

Shumica e politikanëve janë pajtuar se e ardhmja e Bosnjes është në Bashkimin Evropian. Ajo e ardhme, thonë analistët, varet nga aftësia e popullit për të tejkaluar konfliktin e së shkuarës.

XS
SM
MD
LG