Lidhje

Obama shpreh keqardhje për viktimat civilë në Afganistan


Obama shpreh keqardhje për viktimat civilë në Afganistan
Obama shpreh keqardhje për viktimat civilë në Afganistan

Presidenti Barak Obama i ka shprehur keqardhjen e tij Presidentit afgan Hamid Karzai për civilët e vrarë nga goditjet e avionëve të telekomanduar amerikanë gjatë kohëve të fundit në Afganistan. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se zoti Obama së shpejti do të vendosë se me çfarë ritmesh do të zhvillohet tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani:

Sekretari i Shtypit për Shtëpinë e Bardhë Xhej Karni tha dje se dy presidentët zhvilluan një video-konferencë mbi gjendjen e luftës në Afganistan. Zoti Karni tha se Presidenti Obama kishte shprehur keqardhjen mbi të vrarët në radhët e civilëve. Por ai tha se udhëheqësit amerikanë dhe afganë kishin vënë në dukje se pjesa më e madhe e viktimave civile ishin shkaktuar nga talebanët. Zëdhënësi nuk tha nëse zoti Karzai i kishte kërkuar presidentit të ndalte goditjet ajrore nga avionët e telekomanduar amerikanë.

Zoti Obama kishte thënë se do të fillonte tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani muajin e ardhshëm. Zëdhënësi Karni tha se nuk është caktuar një datë specifike.

"Nuk ka pasur diskutime mbi numra specifike. Siç e dini, Presidenti nuk ka marrë një vendim ende mbi ritmet dhe përmasat e tërheqjes. Ai do të vazhdojë diskutimet me ekipin e tij në ditët dhe javët e ardhshme mbi këtë çështje dhe do ta marrë këtë vendim së shpejti, siç e tha edhe vetë”.

Ndërkaq, Kryetari i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, demokrati Karl Levin tha dje në komentet për shtyp se shpreson që Presidenti do të tërheqë 15 mijë trupa amerikane nga Afganistani brenda këtij viti. Aktualisht në Afganistan ka 100 mijë forca të armatosura amerikane.

Duke filluar nga e marta, Senatori Levin do të kryesojë seancat me dëshmi për Leon Panetën, kandidati i Presidentit për postin e Sekretarit të Mbrojtjes.

Republikani më i lartë i Komisionit, Senatori Xhon Mekein tha në një intervistë për shtypin këtë javë se shpreson që zoti Obama nuk do të tërheqë më shumë se 5 mijë trupa amerikane nga Afganistani këtë vit.

Synimi i Presidentit është që afganët të marrin plotësisht nën kontroll kompetencat e sigurisë në vendin e tyre brenda vitit 2014.


Ndërkohë, Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë ka nxjerrë një raport ku kritikon përpjekjet amerikane për të ndërtuar demokracinë në Afganistan.

Studimi dy-vjeçar tregon se ndihmat kolosale amerikane për Afganistanin ka dhënë rezultate të kufizuara në procesin e shtet-ndërtimit.


Shtëpia e Bardhë e mirëpriti raportin, por zëdhënësi Karni tha se rezultatet janë gabim, pasi është pa vend të mohohet përparimi i bërë deri tani në Afganistan.


Rajan Kroker, i propozuar nga Presidenti si ambassador i Shteteve të Bashkuara në Afganistan, pohoi në seancën para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se është bërë përparim. Ai tha se ndihmat amerikane kanë ndihmuar sidomos në përmirësimin e gjendjes së arsimit dhe kujdesit shëndetësor në Afganistan.

XS
SM
MD
LG