Lidhje

SHBA do t'i shesë armë Arabisë Saudite, në përgjigje të kërcënimeve iraniane


SHBA do t'i shesë armë Arabisë Saudite, në përgjigje të kërcënimeve iraniane
SHBA do t'i shesë armë Arabisë Saudite, në përgjigje të kërcënimeve iraniane

Shtetet e Bashuara njoftuan dje një plan të rëndësishëm për shitjen e avionëve për Arabinë Saudite në një atmosferë tensionesh në Gjirin Pesik si rezultat i kërcënimeve të Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, nëse forcohen sanksionet bërthamore kundër tij. Departamenti i Shtetit tha se kërcënimet pasqyrojnë sjelljen e palogjikshme të qeverisë së Teheranit.

Programi me vlerë prej afro 30 miliardë dollarësh për shitjen e avionëve modernë luftarakë të tipit F-15 dhe sistemeve shoqëruese ushtarake ishte planifikuar më shumë se një vit më parë.

Por njoftimi zyrtar i këtij programi ishte një sinjal i qartë për të treguar mbështetjen amerikane për një aleat të rëndësishëm rajonal, në përgjigje të acarimit të tensioneve të shkaktuara nga Irani me kërcënimet për të mbyllur rrugë të rëndësishme të transportit detar.

Irani kërcënoi në fillim të javës se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit nëse sanksionet ndërkombëtare përpiqen të godasin sistemin e tij qendror bankar dhe të dëmtojnë eksportet e tij të naftës.

Një zëdhënëse e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura t’u përgjigjen veprimeve armiqësore për të garantuar lirinë e lundrimit.

Në një konferencë për shtyp, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështje Politike-Ushtarake Andrew Shapiro tha se marrëveshja për shitjen e avionëve F-15 synon të ndihmojë Arabinë Saudite t’u përgjigjet kërcënimeve ndaj sovranitetit të saj, nga Irani apo kushdo tjetër.

"Lindja e Mesme aktualisht ndeshet me një numër kërcënimesh. Arabia Saudite ka pasur shqetësime të sigurisë së kufijve si dhe kërcënime në Gjirin Persik. Një kërcëmim i qartë si për Arabinë Saudite dhe për vende të tjera në rajon është Irani. Por ky program nuk ka si objektiv vetëm Iranin. Një tjetër synim është të ndihmojmë përmbushjen e nevojave të mbrojtjes së Arabisë Saudite”.

Në bazë të programit të shitjes së armëve, Arabia Saudite do të blejë 84 avionë të modelit F-15, ndërsa do të modernizojë 70 avionët e modelit F-15 që Arabia Saudite ka aktualisht në arsenalin e saj.

Pavararësisht nga kërcënimet e qarta të marinës amerikane, Irani ka vazhduar paralajmërimet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, duke thënë se zotëron aftësitë e nevojshme për të mbyllur korridoret detare dhe se Amerika nuk është në gjendje të bllokojë veprimet e Teheranit.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland tha se deklaratat e Iranit mund të nënkuptojnë se sanksionet ndërkombëtare që synojnë ta detyrojnë Iranin të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare, po fillojnë të japing rezultate serioze:

“Nuk mund të lexoj mendjet e iranianëve. Por fakti është se kohët e fundit kemi vërejtur shumë sjellje të palogjikshme nga Irani. I vetmi përfundim është se sanksionet ndërkombëtare po fillojnë të japin rezultat dhe se rritja e presionit, sidomos mbi sektorin e tyre të naftës, po i bën të reagojnë në mënyrë agresive”.

Administrata Obama njoftoi për herë të parë Kongresin për planet për shitjen e avionëve në nëntor 2010 dhe nuk ka pasur tentativa për ta bllokuar këtë hap.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit Andrew Shapiro tha se blerja e armëve nga Arabia Saudite nuk përbën ndonjë ndryshim të epërsisë ushtarake që ka Izraeli në rajon.


Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se shitja e armëve, që do të zbatohet brenda dekadës së ardhshme, do të mbështesë 50 mijë vende pune në 44 shtete amerikane.

XS
SM
MD
LG