Lidhje

Si do të jenë marrëdhëniet e reja SHBA- Libi


Si do të jenë marrëdhëniet e reja SHBA- Libi
Si do të jenë marrëdhëniet e reja SHBA- Libi

Ndërsa luftimet në Libi vazhdojnë, komuniteti ndërkombëtar po mendon rreth së ardhmes së këtij vendi, në periudhën e re pas rënies së regjimit të Gadafit. Për momentin, zyrtarët amerikanë japin vetëm pak hollësi rreth rolit të ardhshëm amerikan në Libi, për të cilën Uashingtoni shpreson të jetë një vend i qëndrueshëm dhe demokratik.

Në fillim të kësaj jave, presidenti amerikan Barak Obama përshëndeti fundin e pritshëm të regjimit të udhëheqësit të Libisë Moamar Gadafi, por foli me terma të përgjithshëm përsa i përket angazhimit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në vendin afrikano verior.

“Shtetet e Bashkuara do të jenë një mik dhe partner i Libisë. Do t’u bashkohemi aleatëve dhe partnerëve tanë për të vazhduar punën për mbrojtjen e popullit të Libisë.”

Qëndrimi i Departamentit të Shtetit ka qenë i matur. Ja si shprehet zëdhënësja Nuland:

“Të shohim një herë se çfarë libianët ndjejnë se është e domosdosme për ta, çfarë mund të arrijnë ata me burimet e tyre. Presim e shohim se cfarë duan ata “.

Pavarësisht këtij qëndrimi, zyrtarët amerikanë e dinë se Këshilli Kombëtar Kalimtar i Libisë ka nevojë për fonde, kryesisht pas pakësimit të prodhimit të naftës gjatë këtyre muajve të luftës civile:

Viktoria Nuland

“Ne duam t’ja fillojmë me të ardhurat që i nevojiten Këshilli Kombëtar Kalimtar të Libisë për të patur një qeveri të fortë e të qëndrueshme, si dhe për të siguruar ndihmën e nevojshme humanitare për popullin libian".

Përveç fazës fillestare të fushatës ajrore për të mbrojtur popullin e Libisë dhe për dobësuar forcat pro Muamar Gadafit, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol mbështetës në kuadrin e përpjekjeve ndërkombërtare për të ndihmuar për të ardhmen e Libisë. Ka të ngjarë që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të kenë një rol të kufizuar thotë analisti për çështje ushtarake Riçard Weitz pranë institutit Hudson në Uashington.

“Shtetet e Bashkuara ndoshta do t’ja lenë më tepër në dorë përgjegjësinë e ndihmës qeverive të tjera në rajon, qofshin ato vendet arabe, vendet e Afrikës veriore, apo ato europiane. Këto vende janë shumë më pranë Libisë gjeografikisht”.

Edhe përpara avancimit të forcave kundër Gadafit në Tripoli, zyrtarët dhe ligjvënësit ameikanë diskutuan mbi zhbllokimin e pasurive prej miliona dollarësh që i përkasin regjimit të Gadafit. Sipas zotit Weitz , këto pasuri, ashtu si dhe çdo lloj ndihme që do të japin në të ardhmen SHBA, do të ndihmojnë që Libia e periudhës pas Gadafit të hyjë në rrugën e demokracisë.

“Mendoj se logjika që do të ndiqet është: Të jepet ndihma e domosdoshme tani për tani, por më pas ndihma të kushtëzohet nga sjellja e mirë e regjimit të ri”.

Që nga fillimi i kryengritjes, kundërshtarët e Muamar Gadafit jenë treguar të hapur me komunitetin ndërkombëtar.

“Ne shpresojmë që bota të na kuptojë e të bashkëpunojë me ne”.

Me strategjinë e kohëve të fundit të Shteteve të Bashkuara, që kanë filluar tërheqjen nga dy konfliktet në Irak dhe Afganistan, amerikanët po tregojnë se nuk kanë dëshirë të madhe për të shtuar shpenzimet për jashtë, qoftë Libinë, apo ndonjë vend tjetër. Por, siç thotë analisti për sigurinë kombëtare Majkëll O’Hanlon, ndihma amerikane nuk është e nevojshme të shpenzohet për një vend të pasur me naftë si Libia.

“Shpresoj se të ketë ndihma amerikane. Por mos të harrojmë se Libia është vend i pasur, ka popullatë të vogël dhe rezerva të mëdha valute, me vlerën e dhjetra miliarda dollarëve.”

Majkëll O’Hanlon dhe analistë të tjerë thonë se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të ardhmen e Libisë, dhe se angazhimi i Shteteve të Bashkuara do të jetë një element i rëndësishëm në përcaktimin e së ardhmes së Libisë.

XS
SM
MD
LG