Lidhje

Presidenti Obama, thirrje për demokraci në mbarë botën


Presidenti Obama, thirrje për demokraci në mbarë botën
Presidenti Obama, thirrje për demokraci në mbarë botën

Fjalimi mbi gjendjen e vendit Presidenti Barak Obama ia kushtua kryesisht çështjeve të brendshme të ekonomisë, por ai preku edhe disa çështje ndërkombëtare. Në vazhdim një analizë e disa ekspertë të politikës së jashtme në Uashington rreth pikëpamjeve të presidentit për botën.

Presidenti Obama e bëri të qartë në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit se administrata e tij planifikon të nxisë demokracinë në mbarë botën gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

“Asnjë superfuqi rivale nuk është kundër nesh. Prandaj ne duhet të mposhtim armiqtë e vendosur, kudo që janë, dhe duhet të krijojmë koalicione që nuk njohin ndarje rajonale, racore dhe fetare. Shembulli moral i Amerikës duhet të ndriçojë gjithmonë për të gjitha ata që përpiqen për liri, drejtësi e dinjitet. Dhe me që ne e kemi filluar këtë punë, sonte mund të themi se udhëheqja amerikane është përtërirë dhe pozita e Amerikës është rikthyer”.

Presidenti Obama shprehu mbështetje për popullin e Tunizisë, që po lufton për demokraci pas rrëzimit nga pushteti të një udhëheqësi autokratik. Ai përmendi edhe referendumin, që u mbajt kohëve të fundit në Sudanin jugor.

“Në Sudanin e jugut – me ndihmën tonë – populli qe në gjendje të votojë më në fund për pavarësi, pas shumë vitesh luftë”.

Robert Kagan pranë Institutit “Brookings” parashikon që Shtetet e Bashkuara të përqendrohen më shumë te nxitja e demokracisë gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

“Ndonëse njerëzit mendonin se Presidenti Obama do ta braktiste agjendën për demokraci për shkak se atë e kishte dëmtuar zoti Bush, mendoj se do të shohim një rikthim në rritje ndaj kësaj çështjeje”.

Zoti Kagan pret gjithashtu që marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kinën të jenë çështje kyçe. Ai thotë se nuk është në interest të Amerikës të shohë Kinën të shndërrohet në fuqinë mbizotëruese në Azinë Lindore, ndërsa aleatët amerikanë i nënshtrohen sferës së ndikimit kinez.

Por eksperti i çështjeve kineze në Institutin Brookings, Kenneth Liberthal, thotë se sfida kryesore për Presidentin Obama në politikën e jashtme më 2011 mund të jetë kalimi i pushtetit në Korenë e Veriut.

“Nëse dështojmë qysh tani, domethënë se nuk kemi punuar si duhet me kinezët. Jo vetëm ne, por as koreano-jugorët e as japonezët. Ç’duhet të bënte ushtria kineze në kufirin me Korenë e Veriut? Ç’do të bënin forcat e Koresë së Jugut? Ç’do të bënin trupat amerikane në rajon? Ka shumë mundësi që të gjithë të përfshihen pa dashje në një situatë të rrezikshme”.

Eksperti nga Instituti Brookings thotë se Presidenti Obama akoma përballet me një sfidë të rëndë në Afganistan dhe Pakistan.

Në Afganistan, thotë analisti Stephen Cohen, po bëhet gjithnjë e më e qartë se gjendja nuk mund të përmirësohet pa përfshirjen e talebanëve.

“Ironia është se nëse përfshihen talebanët në një zgjidhje për Afganistanin, atëherë do të zemërohen indianët, do të zemërohen iranianët. Ata mund të përdorin forcën ushtarake ose të mbështesin ndonjë grup për t’u siguruar që nuk arrihet ndonjë zgjidhje”.

Dhe në Pakistan, thotë zoti Cohen, përveç terrorizmit, ka edhe tri çështje kritike që ndikojnë te interesat jetike të Shteteve të Bashkuara.

“Atje ka krizë afatshkurtër për sa i përket përfshirjes së tyre në Afganistan, krizë afatmesme për koherencën e Pakistanit si shtet dhe krizë afatgjatë për armët bërthamore”.

Ekspertët e Institutit Brookings thotë se krahas përpjekjeve për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme dhe për të bindur Iranin dhe Korenë e Veriut të heqin dorë nga programet bërthamore, Presidentit Obama do t’i duhet të ruajë fitoren e brishtë në Irak.

XS
SM
MD
LG