Lidhje

Mit Romni hap fushatën presidenciale me kritika ndaj presidentit Obama


Mit Romni hap fushatën presidenciale me kritika ndaj presidentit Obama
Mit Romni hap fushatën presidenciale me kritika ndaj presidentit Obama

Ish-guvernatori i Masaçusetsit Mit Romni deklaroi dje se do të kërkojë të marrë emërimin e republikanëve si kandidat për president. Biznesmeni multimilioner e filloi fushatën e tij në shtetin Nju Hempshër me një sulm të ashpër kundër presidentit Obama. Kandidati republikan synon t’i tregojë partisë së tij se është shansi më i mirë i republikanëve për të mundur zotin Obama:

Mitt Romney e filloi fushatën e tij në një fermë në Nju Hempshër, një ndër shtetet ku zhvillohen zgjedhjet e hershme partiake për republikanët.

Në fjalimin e tij, kandidati republikan kritikoi politikat e deritanishme të presidentit demokrat:

"Barack Obama e ka lënë në baltë Amerikën”.


Analistët thonë se zoti Romni duhet të bindë bazën republikane se është kandidati më i fortë për të mundur zotin Obama, i cili aktualisht është përpara në anketa krahasuar me kandidatët republikanë.

Zoti Romni kritikoi politikën e jashtme të Presidentit Obama. Ai tha se presidenti kishte hezituar në përkrahjen e protestuesve demokratë në Iran dhe protestuesve në botën arabe. Ai tha se Presidenti Obama po vepronte si udhëheqësit evropianë që fajësojnë Izraelin për konfliktin me palestinezët.

Por zoti Romni u përqendrua kryesisht në mënyrën se si presidenti ka reaguar ndaj problemeve ekonomike, duke e fajësuar zotin Obama për papunësinë dhe shpenzimet e mëdha federale.

"Kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë, ekonomia ishte në krizë. Ai e bëri më keq. Dhe e zgjati krizën shumë më tepër”.

Kjo është hera e dytë që zoti Romni konkuron për president dhe ai e ka provuar veten në drejtim të grumbullimit të fondeve.

Por në vitin 2008, kur humbi emërimin e partisë së tij si kandidati republikan për zgjedhjet e 2008, përballë senatorit Xhon Mekein, ai pati përballë një numër sfidash elektorale.

Një prej tyre ishte përpjekja për t’u distancuar nga qëndrimi i tij i mëparshëm ndaj abortit, martesës mes homoseksualëve dhe kujdesit shëndetësor kur ishte guvernator i shtetit liberal të Masaçusetsit.

Një tjetër ishte fakti që ai i përket besimit Mormon. Megjithëse ky besim u themelua në Amerikë, shumë votues evangjelistë me pikëpamje konservatore e shohin besimin mormon me dyshim si rezultat i mospërputhjeve teologjike.

Din Debnam i Agjencisë për Anketime mbi Politikat Shtetërore në Karolinën e Veriut thotë se këto çështje mund të dalin përsëri në sipërfaqe bazuar në kandidatët që do ta sfidojnë zotin Romni për emërimin e Partisë Republikane:

"Por nëse nuk del ndonjë kandidat i fortë, atëherë republikanët do të tregohen besnikë dhe do ta mbështesin zotin Romni duke mos përfillur ato gjëra që i konsiderojnë si probleme morale”.

Ish guvernatorja e Alaskës Sara Pejlin ishte po ashtu në shtetin Nju Hempshër në kuadër të një turneu që ka bërë bujë të dukshme.

Kandidatë të tjerë republikanë përfshijnë ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Njut Gingriç, ligjvënësin nga Teksasi Ron Pol dhe guvernatorin e Minesotës Tim Polenti.

XS
SM
MD
LG