Lidhje

Ushtrimet fizike të stilit ushtarak, një prirje e re në SHBA


Ushtrimet fizike të stilit ushtarak, një prirje e re në SHBA
Ushtrimet fizike të stilit ushtarak, një prirje e re në SHBA

Ushtrimet fizike, të nevojshme për një shëndet të mirë, po bëhen përherë e më tepër pjesë e jetës së amerikanëve. Ekspertët thonë se këtë vit po vihet re një prirje për ushtrime fizike energjike, të tipit ushtarak. Këto lloj ushtrimesh po zëvendësojnë ushtrimet e tjera në grup, të tipit të aerobisë, apo jogës.

Nëse e keni marrë me seriozitet rënien në peshë, tani pas festave të fundvitit, ushtrimet e tipit ushtarak do të ishin zgjedhja më e mirë. Në Los Anxhelos, qyteti i Hollivudit, ku të qënit në formë të mirë fizike merr një rëndësi të veçantë, po vihet re një prirje e re nëpër palestra: ushtrime energjike, sipas modelit të atyre që zhvillojnë ushtarët në gjatë stërvitjes. Këto lloj ushtrimesh mund të zhvillohen brenda në palestër, por edhe jashtë, në ajër të pastër.

Një instruktor i mirë do të ishte i nevojshëm për të nxitur punë më intensive dhe më specifike me muskujt. Këto lloj seancash me ushtrime fizike, tashmë të përhapura në Kaliforni, përfshijnë programe me ushtrime kardiovaskulare, rezistence dhe elasticiteti. Grifin Uajt i qendrës sportive MINDMUSCLEFITNESS, trajnon një grup pasionantësh të ushtrimeve fizike dhe njerëz të famshëm të Hollivudit në orët e mëngjesit. Ai thotë se ushtrimet fizike të tipit ushtarak janë popullore, pasi i lejojnë njerëzit të bëjnë ushtrime fizike bashkarisht.

"Njerëzve u pëlqen të bëjnë ushtrime në grup. Kjo i motivon të punojnë në praninë e miqve, ose të njihen me njerëz të rinj, në një mjedis shoqëror".

Aktori Udi Shulc thotë se ushtrimet e tipit ushtarak zhvillohen pa ndërprerje dhe i kursejnë atij kohë dhe para, krahasuar me klasat e aerobisë.

"Në këto lloj ushtrimesh shkrihen ushtrimet e tipit kardio, me pesha dhe ushtrimet bazë. Kjo është një mënyrë më intensive ushtrimesh, se sa kur i bën vetëm. …Dhe koha kalon shumë shpejt".

Ushtrime e tipit Joga, që shoqërohet edhe me meditim, janë më të kushtueshme se sa ushtrimet e tipit ushtarak në grup, edhe pse ato drejtohen nga trajnerë të specializuar.

Hajsinth Ljus, me profesion avokate, thotë se kur ushtrimet zhvillohen me trajner, rezultati është shumë më i mirë se sa kur bën ushtrime vetëm.

"Unë bëj ushtrime 6 ditë në javë dhe po arrij rezultatin që dëshiroj. Përpiqem të ndjek një dietë të shëndetshme, vrapoj, bëj ushtrime dhe mendoj se ato kanë rezultat shumë të mirë me drejtimin e trajnerit".

Sipas një studimi të kohëve të fundit të Kolegjit amerikan për Sportin dhe Mjekësinë, në vitin 2011 një numër më i madh njerëzish pritet të interesohen më tepër për programe ushtrimesh që përfshijnë edhe këshilla për dietën. Po sipas studimit, ushtrimet e tipit ushtarak brenda dhe në natyrë mund të jenë më të kërkuarat.
Ron Mathews është ekspert për ushtrimet fizike dhe ai është trajner i disa yjeve të Hollivudit. Ai thotë se sekreti për të patur një trup të bukur është përkushtimi.

"Nevojitet përkushtim. Duhet që ushtrimet fizike të bëhen pjesë e jetës së përditshme. Nuk mund t’i bësh ato vetëm në fundjavë. Diçka tjetër që u them yjeve të Hollivudit: Pamja e jashtme e bukur lidhet drejtpëdrejt me punën tuaj, prandaj merreni atë me seriozitet. Duhet të ushqeheni mirë gjithmonë dhe ashtu sikurse nuk rrini asnjë ditë pa ngrënë, nuk duhet të rrini asnjë ditë pa bërë fiskulturë".

Sipas studimit të Kolegjit amerikan për Sportin dhe Mjekësinë, këtë vit vihen re prirje për ushtrime fizike në grupe të vogla, një mënyrë e mirë shoqërimi mes njerëzve, për të qenë më të motivuar, si dhe për ta ndarë koston e pagesës për trajnerin me të tjerë.

XS
SM
MD
LG