Lidhje

SHBA premton 25 milionë dollarë ndihma për opozitën libiane


SHBA premton 25 milionë dollarë ndihma për opozitën libiane
SHBA premton 25 milionë dollarë ndihma për opozitën libiane

Administrata e presidentit Obama do t’i ofrojë së shpejti Këshillit Kombëtar Tranzitor të opozitës libiane 25 milionë dollarë ndihma. Plani u konfirmua dje nga Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, e cila shprehu gjithashtu shqetësim për shtimin e numrit të viktimave në radhët e protestuesve pro-demokracisë në Siri.

Sekretarja Klinton ka theksuar se paketa e ndihmave nuk përmban armë dhe nuk është një “çek i bardhë” me ndihma të pakufizuara për Këshillin Kombëtar Tranzitor. Por këto ndihma pasqyrojnë një shkallëzim të ndjeshëm të mbështetjes amerikane për këtë organizatë të opozitës libiane.

Në komentet që bëri në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e zgjedhur të Haitit, Mishel Marteli, zonja Klinton tha se paketa e ndihmave për kryengritësit libianë përfshin artikuj mjekësorë, uniforma, çizme, mjete mbrojtëse dhe radio.

Ajo tha se ndihma e ofruar bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Shteteve të Bashkuara, ndër të cilët Britania, Franca dhe Italia, të cilat këtë javë njoftuan dërgimin e këshilltarëve ushtarakë në ndihmë të Këshillit Kombëtar Tranzitor:

"Ky nuk është çek i bardhë. Këto veprime i ndërmarrim në përputhje me rezolutën 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB, i cili ndër të tjera ka autorizuar vendet anëtare të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur civilët dhe zonat e populluara nga civilët”.

Shtetet e Bahkuara kanë dërguar një diplomat të lartë, Kris Stivens, në bazën e kryengritësve Bengazi, për të vendosur lidhje me Këshillin Kombëtar Tranzitor, por nuk e kanë njohur lëvizjen kryengritëse si udhëheqjen legjitime të vendit, siç kanë vepruar disa anëtarë të tjerë të NATO-s.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se angazhimi për ndihma nuk nënkupton se Amerika është më pranë njohjes së kësaj organizate, por tregon se ka rrugë të tjera për të mbështetur dhe fuqizuar organizatën pa deklaruar njohje zyrtare.

Zonja Klinton ndërkaq ka nënvizuar shqetësimet e Amerikës për shtimin e dhunës politike në Siri, ku njoftimet flasin për më shumë se 20 protestues të vrarë nga forcat e sigurimit në qytetin qendror Homs.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë përdorimin e çdo akti dhune nga secila palë në këtë konflikt dhe shprehu shqetësim të veçantë për situatën në Homs, ku është e vështirë të merren të dhëna të sakta, si rezultat i ndalimit të gazetarëve:

"Qeveria siriane duhet të lejojë lëvizjen e lirë. Duhet të ndalen arrestimet arbitrare, ndalimet dhe torturimi i të burgosurve. Duhet të ndalë dhuna dhe të fillojë një process serioz politik me akte konkrete për të treguar përgjegjshmëri ndaj çështjeve legjitime që janë ngritur nga populli sirian me kërkesat për reforma të mirëfillta dhe të qëndrueshme”.

Departamenti i Shtetit shprehu skepticizëm ndaj planit të qeverisë së Damaskut për të hequr gjendjen e jashtëzakonshme që ka qenë në fuqi prej 48 vjetësh, duke thenë se heqja e gjendjes së jashtëzakonshme përfshihet në një paketë ligjore që parashikon masa për të penguar demonstratat.

XS
SM
MD
LG