Ndërkohë që shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar Diminik Stro-Kan mbahet në burg në Nju Jork nën akuzat për sulm seksual, ka spekulime të shumta për kandidatët për të zënë vendin e tij në këtë organizatë.
Është ende e paqartë nëse kreu aktual i FMN-së Stros-Kan do të dalë në gjyq nën akuzat se ka sulmuar një punonjëse të personelit të pastrimit në një hotel. Ai thotë se është i pafajshëm.
Edhe nëse një gjë e tillë është e vërtetë, ka shumë që mendojnë se karriera e tij në FMN ka marrë fund dhe se akuzat, të vërteta apo të sajuara, kanë dëmtuar rëndë shanset e tij për të konkuruar në zgjedhjet presidenciale në Francë.
Në komentet në Bruksel, pas një takimi të ministrave të Bashkimit Evropian, Ministrja austriake e Financave Maria Fekter, tha se Stros-Kan duhet të japë dorëheqjen për të shmanguar dëme të mëtejshme për FMN-në.
Ministrja spanjolle e Financave Elena Salgado tha se vendimi i takon vetëm Stros-Kanit. Por ministrja spanjolle tha se akuzat kundër zotit Stros-Kan janë tepër serioze dhe se ndërkohë që vazhdojnë hetimet ajo solidarizohet me viktimën e këtij incidenti, nëse akuzat janë të vërteta.
Tani analistët financiarë po spekulojnë se kush do të zëvendësojë zotin Stros-Kan. Karel Lannoo, me Qendrën Evropiane të Studimeve Politike ofron një portret të kandidatit ideal:
“Ai duhet të jetë një ekonomist i zoti, sidomos në fushën e makroekonomisë, në rastin ideal dikush me një gradë doktorature si Stros-Kan, i cili ishte njëkohësisht edhe një diplomat i zoti”.
Zakonisht kreu i FMN-së ka qenë evropian dhe sipas shenjave evropianët do të vazhdojnë të këmbëngulin në këtë traditë.
Por ekspertë të tjerë po analizojnë kandidatura të mundshme jashtë Evropës, që nga Brazili e deri në Kinë. Analisti Karel Lannoo thotë se shanset e tyre do të varen nga pozita e tyre brenda vendit:
“Nëse ata kanë pasur sukses në drejtimin e ekonomisë së vendit të tyre, si për shembull në Brazil, mund të kenë shanse të prezantohen si kandidaturë e fortë”.
Stros-Kan pritej të largohej së shpejti nga FMN-ja për të konkuruar në zgjedhjet presidenciale:
“Ai do të jepte gjithsesi dorëheqjen, por sa të përgatitur janë evropianët për këtë fakt? Nuk më duken të përgatitur”.
Emrat e kandidatëve joevropianë të lakuar nga media përfshijnë Ministrin jugafrikan në Financave Trevor Manuel, Ish-Guvernatorin e Bankës Qendrore të Brazilit Arminio Fraga dhe Min Zhu të Kinës, këshilltar special i zotit Stros-Kan.