Lidhje

A po ia kthen Turqia kurrizin Evropës?


A po ia kthen Turqia kurrizin Evropës?
A po ia kthen Turqia kurrizin Evropës?

Shefja e Bashkimit Evropian për çështjet e jashtme, Kathrin Ashton fillon sot vizitën e parë në Turqi. Ndërsa përpjekjet e këtij vendi për t’u anëtarësuar në BE janë në prag të dështimit, për shkak të kundërshtimit të ashpër të disa vendeve anëtare të Bashkimit, Dorian Xhons e Zërit të Amerikës, sjell më shumë hollësi nga Stambolli nëse Turqia po ia kthen kurrizin Evropës.

Takimi mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian zhvillohet në një kohë kritike për përpjekjet e këtij vendi për t’u anëtarësuar në BE. Këtë muaj, Ankaraja dhe BE-ja do të diskutojnë kapitullin e 13-të të paketës së asocim-stabilizimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.

Ekzistojnë 35 kapituj që Turqia duhet të përmbushë në mënyrë që të pranohet anëtare e BE-së. Deri tani 12 kapituj kanë qënë të hapur, ndërsa 8 kapituj mbeten plotësisht të bllokuar për arsye të dështimit të Ankarasë për të hapur kufijtë për Qipron, anëtare e Bashkimit.

Analistët spekulojnë se kapitulli i 13-të mund të jetë i fundit i hapur. Cengiz Aktar i Universitetit Bahçesehir, ekspert për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, thotë se përpjekjet e anëtarësimit të Turqisë janë në krizë.

“Kemi të bëjmë me një përpjekje që po i vjen fundi dhe në gjendje shumë të rëndë. Nuk besoj se evropianët e kuptojnë se ç’po bëjnë. Ata janë të shqetësuar me problemet e tyre, si për shembull kriza ekonomike, dhe ndërkohë po humbasin me ngadalë Turqinë”.

Turqia dhe Kroacia filluan përpjekjet e anëtarësimit në të njëjtën ditë në vitin 2005. Por Kroacia i hapi të gjitha kapitujt dhe pritet të përfundojë të gjitha kërkesat e anëtarësimit ndoshta deri në fund të këtij viti.

Populli turk, thotë analisti politik Semih Idiz, ka dyshimet e veta.

“70 përqind e turqve vënë në dyshim sinqeritetin e Bashkimit Evropian ndaj Turqisë. Në përgjithësi turqit mendojnë se mungon ndjenja e besimit nga ana e Evropës për Turqinë. Dhe nëse qeveria po vazhdon negociatat, këtë po e bën sepse nuk ka alternativë tjetër”.

Si rezultat, Ankaraja mund të ketë ndryshuar drejtim. Qeveria është angazhuar në një program ambicioz për të përmirësuar me shpejtësi marrëdhëniet me fqinjët e lindjes dhe të lindjes së mesme, përfshirë Sirinë dhe Iranin, duke nënshkruar disa marrëveshje të tregëtisë së lirë dhe të udhëtimit pa viza.

Madje, muajin e kaluar Turqia votoi kundër sanksioneve shtesë të Kombeve të Bashkuara kundër Teheranit lidhur me programin bërthamor të këtij të fundit. Ky hap ka çuar në pikpyetje lidhur me drejtimin që ka marrë Turqia.

Muajin e kaluar në një takim në Evropë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts tha se nëse kjo po ndodh, është Evropa që duhet fajësuar.

“Nëse është i vërtetë nocioni se Turqia po i afrohet lindjes, mendoj se kjo po ndodh për shkak se disa vende evropiane e refuzuan Turqinë, refuzuan t’i jepnin atij vendi atë lloj lidhje organike me Perëndimin, që Turqia kërkonte”.

Ankaraja mohon spekullimet se po i kthen kurrizin Perëndimit, veçanërisht Evropës. Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu përsëriti gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Londër se përpjekjet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian përbëjnë përparësinë e tij numër 1.

Zoti Davutoglu tha se marrëdhëniet diplomatike të Turqisë me vende të Lindjes së Mesme kompletojnë përpjekjet e saj për anëtarësimin në BE.

“Ajo që ne po përpiqemi të arrijmë në Lindjen e Mesme është të vendosim një rend të bazuar në shtetin juridik, demokraci, të drejtat e njeriut, pavarësinë ekonomike dhe ekzistencën ndërkulturore. Këto janë vlera të përbashkëta të Bashkimit Evropian”.

Por vëzhguesit paralajmërojnë komisionerët e Bashkimit, që do të marrin pjesë në takimet e sotme, se ata mund të presin të dëgjojnë pakënaqësinë në rritje të qeverisë turke. Eksperti Cengiz Aktar thotë se Brukseli duhet të veprojë me shpejtësi.

“Nëse ata duan të mbështesin anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, ata duhet të jenë shumë më të sinqertë. Ata duhet të shprehen se jo vetëm që Turqia do të bëhet anëtare e BE-së, por të caktojnë datën e këtij anëtarësimi. Ky lloj komunikimi është i nevojshëm menjëherë”.

Por ndërsa shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian përballen me deficite të mëdha buxhetore, vëzhguesit paralajmërojnë se ekziston pak entuziazëm që një vend relativisht i varfër me 70 milion banorë të anëtarësohet në BE. Të paktën, tani për tani, Turqia mund të vazhdojë përpjekjet për anëtarësim në BE, por pyetja që bëjnë shumë njerëz është se sa do të vazhdojnë këto përpjekje?

XS
SM
MD
LG