Lidhje

SHBA: Demokratët intensifikojnë fushatën në prag të zgjedhjeve për Kongres


SHBA: Demokratët intensifikojnë fushatën në prag të zgjedhjeve për Kongres
SHBA: Demokratët intensifikojnë fushatën në prag të zgjedhjeve për Kongres

Anketat e kohëve të fundit sinjalizojnë se demokratët mund të jenë duke e ngushtuar epërsinë e republikanëve në betejën për të kontrolluar Kongresin pas zgjedhjeve të 2 nëntorit.

Anketa më e fundit nga Uashington Post dhe ABC Njuz tregon se republikanët po udhëheqin ndaj demokratëve 49 me 43 përqind, në mesin e atyre që pritet të votojnë. Anketat e tjera tregojnë se partitë kanë gjasa të barabarta. Vetëm një muaj më parë, demokratët ishin prapa republikanëve për 10 pikë në shumë anketa dhe përmirësimet tregojnë se demokratët po arrijnë sukses duke nxitur mbështetësit e tyre që të marrin pjesë në zgjedhje.

Ngushtimi i dallimit në disa anketa mund të jetë fryt i përpjekjeve të shtuara të Presidentit Barak Obama për të mbledhur përkrahësit, sidomos të rinjtë dhe pakicat, të cilët e mbështetën atë në numër të madh në zgjedhjet presidenciale dy vjet më parë.

“Tani nuk është koha për të rënë në zhgënjim. Tani nuk është koha për t’u dorëzuar. Ne nuk heqim dorë. Nuk mund të harrojmë se ky vend ka përjetuar edhe më keq dhe kemi dalë më të fuqishëm nga lufta, nga depresioni, si dhe nga lëvizja për barazi dhe për të drejta civile. Ne nuk heqim dorë.”

Ka shenja se demokratët po e marrin veten për sa i përket financimit të fushatës. Komiteti Kombëtar i Partisë Demokrate ka grumbulluar 16 milionë dollarë për kandidatët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit vetëm në muajin shtator, ndërkohë që të dy partitë kryesore po bëhen gati për javët përfundimtare të fushatës.

Presidenti Obama rrezikon shumë në zgjedhjet e 2 nëntorit. Nëse demokratët humbasin kontrollin e njërës apo të dyja dhomave të Kongresit, republikanët do të jenë në gjendje të ngadalësojnë ose të bllokojnë shumicën e axhendës ligjvënëse të presidentit gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Tom DeFrank është analist politik, i cili shkruan për gazetën Nju Jork Dejlli Njuz.

“Ai thjesht u tha demokratëve, ‘Nëse mendoni se gjërat nuk janë siç dëshironi, do të shihni se ç’do të ndodhë kur republikanët të kontrollojnë Kongresin nga janari i vitit të ardhshëm’. Me sa duket, këto fjalë kanë pasur ndikim. Por shtrohet pyetja: a do të kenë ndikim të mjaftueshëm sa për të parandaluar bartjen e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve nga demokratët tek republikanët? Aktualisht, mendoj se republikanët akoma kanë më shumë gjasa që të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.”

Republikanët përmendin disa anketa të reja, në të cilat ata mbajnë epërsi të thellë për sa i përket entuziazmit për zgjedhjet. Një anketë e grupit Gallup arrin në përfundimin se gjysma e republikanëve të anketuar janë tejet të entuziazmuar për zgjedhjet, ndërsa vetëm një e treta e demokratëve ndihen ashtu.

Për muaj të tërë, anketat kanë shfaqur një përqindje të lartë të votuese që kërkojnë ndryshime në Uashington dhe që janë të gatshëm të shprehin mllefin ndaj demokratëve, të cilët mbajnë shumicën në dyja dhomat e Kongresit.

Përfaqësuesi republikan nga Kalifornia, Kevin MekKarthi, foli me rastin e shpalljes së planit të partisë së tij, “Zotim ndaj Amerikës” – një axhendë qeverisëse që përfshin shkurtime të taksave dhe të shpenzimeve qeveritare.

“Jemi këtu sot t’ju tregojmë se ju kemi dëgjuar. Ju dëgjuam fort e qartë.”

Republikanëve iu nevojiten 39 vende të reja për të marrë kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh, ndërsa u duhet të zënë edhe 10 vende për të fituar shumicën në Senatin 100 vendësh. Zgjedhjet sivjet zhvillohen për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, 37 vende në Senat dhe 37 guvernatorë shtetesh.

XS
SM
MD
LG