Lidhje

Përplasje kushtetuese për ligjin e imigracionit në Arizona


Vendimi i administratës së Presidentit Obama për të bllokuar ligjin tepër të debatuar të Arizonës ndaj imigrantëve të paligjshëm, krijon kushtet për një përplasje të rëndësishme ligjore dhe kushtetuese mes qeverisë federale dhe njërit prej 50 shteteve amerikane.

Çështja është për një ligj të ri të shtetit të Arizonës që hyn në fuqi këtë muaj dhe që kërkon që policia të kontrollojë dokumentet e imigracionit të një personi, në se oficeri i policisë ka arsye të besojë se personi në fjalë ndodhet në vend ilegalisht. Ligji u miratua pas disa vitesh plot me shqetësime në Arizonë, ku ka rreth 460 mijë imigrantë të paligjshëm dhe mes ankesave se qeveria federale nuk po bënte sa duhej për të mbrojtur kufirin me Meksikën.

Vendimi i Departamentit të Drejtësisë për t’u përpjekur të bllokojë ligjin e Arizonës në gjykatë krijon një ballafaqim klasik kushtetues mes qeverisë federale në Washington dhe të drejtave të shteteve individuale, që të veprojnë sipas ligjeve të tyre. Richard Friedman është ekspert i së drejtës kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetin e Miçiganit. Ja si shprehet ai:

"Unë mendoj se ky konflikt është karakteristik amerikan, që ka të bëjë me strukturën e kushtetutës së SHBA. Ne kemi qeveri shtetesh, që kanë autoritet të përgjithshëm për të organizuar ecurinë e çështjeve brenda shteteve të tyre. Dhe mbi to imponohet qeveria federale, e cila është supreme vetëm përsa i përket çështjeve që ajo ka në kompetencë".

Sipas Kushtetutës amerikane, qeveria federale, në formën e institucionit të Kongresit dhe Presidentit, janë të ngarkuara të merren me çështje të tilla si mbrojtja kombëtare, politika e jashtme, apo të sigurojnë fonde për shpenzimet qeveritare. Por sipas Amenadmentit të 10-të të Kushtetutës amerikane, kompetencat e tjera që nuk i përkasin qeverisë federale u rezervohen shteteve, dhe kjo ka çuar në disa kundërvënie ligjore gjatë historisë së Amerikës. Eksperti Richard Friedman thotë se shumica e studiuesve të kushtetutës mendojnë se autoriteti për kontrollin e imigracionit i përket qeverisë federale dhe jo shteteve të ndryshme.

"Qeveria federale është supreme për çështje që janë nën juridiksionin e saj. Me fjalë të tjera, në se një subjekt i veçantë mund të trajtohet nga Kongresi, atëhere në këtë rast ligji federal është ligji suprem dhe çdo ligj që bie ndesh me të është i pavlefshëm. Dhe imigracioni prej vitesh është konsideruar si një çështje që i përket ligjit federel. Pra në këtë rast, çështja është në se ligji i shtetit bie ndesh me ligjin federal".

Disa grupe të të drejtave civile po ashtu po e sfidojnë ligjin e Arizonës në gjykatën federale, duke argumentuar se policia në kontrollet e saj në kërkim të personave që mendohet të jenë imigrantë të paligjshëm, do të niset nga motive racore. Zyrtarët e Arizonës e kundërshtojnë këtë ide duke thënë se ligji përfshin kushte dhe klauzola që e ndalojnë profilizimin racor dhe argumentojnë se ligji nuk do të ketë ndikim diskriminues.

Guvernatorja e Arizonës Jan Brewer e quajti procesin gjyqësor të hapur nga Deparatmenti i Drejtësisë si një shpërdorim masiv të parave të taksapaguesve dhe tha se shteti i saj u detyrua të veprojë, sepse qeveria federale ka dështuar në mbrojtjen e kufijve të vendit. Eksperti ligjor i Universitetit Amerikan Steve Vladeck thotë se përkrahësit e ligjit të Arizonës e mirëpresin hapjen e debatit për çështje ligjore edhe konstitucionale që do të trajtohen në gjykata federale.

"Nga momenti kur u miratua ligji i Arizonës, synimi pjesërisht ishte të provokohej kjo përgjigje federale, për ta çuar çështjen në gjyq, që ligji të bllokohej. Unë mendoj se e gjithë çështja është në se shtetet kanë fuqinë të marrin këto lloj masash kundër imigrantëve pa dokumente dhe prandaj mendoj se i gjithë plani ishte për ta detyruar qeverinë federale të bënte të ditur qëndrimin e vet, pro ose kundër”.

Disa shtete të tjera janë duke shqyrtuar ligje që kanë në objektiv imigrantët e paligjshëm dhe një anketim i kohëve të fundit i qendrës kërkimore Pew arriti në përfundimin se mbi 60 për qind e amerikanëve janë dakord me ligjin e Arizonës. Ekspertë politikë besojnë se imigracioni mund të jetë një çështje e rëndësishme në zgjedhjet e këtij viti për në Kongres. Analisti konservator për çështje ligjore Colby May i Qendrës amerikane për Ligjet dhe Drejtësinë, thotë se shumë shtete po e ndjekin nga afër betejën ligjore lidhur me ligjin e imigracionit të Arizonës.

"Dhe derisa qeveria federale mban përgjegjësinë e vet dhe bën atë që kërkon populli amerikan, kontrollin e kufirit, përsëri do të ketë një numër të madh njerëzish që hyjnë ilegalisht në SHBA dhe shtete të ndryshme do ta ndjejnë presionin në shërbimet e tyre sociale, tek arsimi dhe në fusha të tjera dhe ndoshta edhe ato do të ndjejnë nevojën për të reaguar për të bërë diçka".

Beteja në gjykatë lidhur me ligjin e Arizonës pritet të vazhdojë për disa muaj dhe shumë ekspertë ligjorë parashikojnë se çështja përfundimisht do të trajtohet në Gjykatën e Lartë, e cila do të ketë fjalën e fundit në interpretimin e Kushtetutës amerikane dhe në qetësimin e konflikteve mes shteteve dhe qeverisë qendrore në Washington.

XS
SM
MD
LG